Një mbrojtje angleze që ende nuk ka pësuar asnjë gol

Futboll

Një mbrojtje angleze që ende nuk ka pësuar asnjë gol

Më: 7 korrik 2021 Në ora: 12:39
Kane

“It’s coming home”. Kjo është parulla që shoqëron ëndrrën e Anglisë në “Euro 2020”. Gjysmëfinalet dhe finalja e këtij kompeticioni do të zhvillohen në “Wembley”. E nisi mbrëmë Italia ndaj Spanjës, e vijon sonte Anglia ndaj Danimarkës, për të përcaktuar finale e madhe.

Një mbrojtje (angleze) që ende nuk ka pësuar asnjë gol në këtë Europian ka rastin ta thellojë këtë rekord. Pesë ndeshje, dhjetë gola të shënuar dhe asnjë të pësuar. Më mirë se kaq nuk mund të ketë. Ndoshta me një lojë jo shumë dinamike, por rezultatet janë në anën e “Tre Luanëve” tani për tani.

Testi gjysmëfinal nuk është i parëndësishëm, pasi nuk ishte as ai me Kroacinë në grup, apo derbi me Skocinë. Mbi të gjitha, 2-0 kundër Gjermanisë në 1/8 finale, që theu një mallkim të gjatë që nga 1966.

Kundër Danimarkës, Southgate nuk ka tabu për të prishur. Edhe nëse gjysmëfinalja e fundit në “Wembley” për trajnerin është ajo e penalltisë së mallkuar kundër Gjermanisë. Skandinavët, nga ana e tyre, po jetojnë një ëndërr, e cila filloi si një makth.

Southgate duhet të zgjedhë 4-2-3-1, me Saka si trekuartist, së bashku me Mount dhe Sterling, që mbështesin “pykën”, Kane. Në mesfushë Rice dhe Phillips, mbrojtja me Walker, Stones, Maguire dhe Shaw, para Pickford.

Drama e Eriksen në ndeshjen e tij debutuese kundër Finlandës kompaktësoi ambientin danez rreth një skuadre që, pasi humbi edhe ndaj Belgjikës, nisi revanin nga sfida e tretë në grup e tutje. “Poker” ndaj Rusisë, “poker” ndaj Uellsit. Pastaj fitoi 2-1 kundër Republikës Çeke dhe ja ku është; në gjysmëfinale për të luajtur gjithçka.

Edhe pse Poulsen dhe Wass janë kthyer nga lëndimet, trajneri Hjulmand do të luajë me të njëjtin formacion si në dy ndeshjet e fundit. Schmeichel në portë, Kasper, djali i Peter, i cili ishte titullar më 1992, kur Danimarka triumfoi në Europian. Para tij një mbrojtje trekahëshe me Christensen, Kjaer dhe Vestergaard.

Stryger Larsen dhe “shigjeta” Maehle në krahët e mesfushës, me Delaney dhe Højbjerg në qendër të saj. Damsgaard dhe Braithwaite do të mbështesin Dolberg, që shënoi tre gola në dy ndeshjet e fundit.

Ja formacionet e mundshme:
ANGLIA (4-2-3-1): Pickford; Walker, Stones, Maguire, Shaw; Rice, Phillips; Saka, Mount, Sterling; Kane.
DANIMARKA (3-4-3): Schmeichel; Christensen, Kjaer, Vestergaard; Stryger Larsen, Højbjerg, Delaney, Maehle; Braithwaite, Dolberg, Damsgaard.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat