FSHF i kujton Veliajt investimet në Tiranë

Futboll

FSHF i kujton Veliajt investimet në Tiranë

Më: 21 janar 2022 Në ora: 11:57
FSHF i kujton Veliajt investimet në Tiranë

Në komunikimin e jashtëzakonshëm për shtyp, FShF-ja u dha përgjigje edhe akuzave të kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliajt, në lidhje me mungesën e investimeve në terrene sportive në qytet.

Nëpërmjet kreut të Departamentit të Komunikimit, Andi Verçani, FShF-ja solli në vëmendje investimet për fushat në kompleksin “Skënder Halili”, në kompleksin “Partizani”, etj., teksa evidentoi me dokumenta e shkresa, edhe mungesën e bashkëpunimit me institucionet shtetërore.

“Ne i kujtojmë kryetarit Erion Veliaj, se FShF ka investuar për ndërtimin e tre fushave në kompleksin “Skënder Halili” dhe gjithashtu në një të katërt, që po ndërtohet. Gjithashtu kemi investuar në kompleksin “Partizani”, ku ftojmë edhe bashkinë të ndihmojë.

Nëpërmjet shkresave zyrtare, kemi kërkuar bashkëpunim për ndërtimin apo rikonstruksionin 50-50 apo edhe 100-0 të shumë terreneve sportive, por jemi refuzuar. Erion Veliaj duhet të njohë mirë qytetin e tij, që të shohë edhe investimet e FShF-së. Për fat të mirë, bashkitë e tjera janë treguar shumë më bashkëpunuese dhe ne kemi ndërtuar, apo jemi duke ndërtuar fusha sportive në shumë qytete, si Kukës, Lushnjë, Gjirokastër, etj.”, tha Verçani.

Sa i përket denoncimit të SuperSport, mbi tjetërsimin e terrenit të kompleksit Dajti, me qëllim ndërtimin e pallateve, por edhe lënien në mëshirë të fatit, të fushave sportive pranë Qytetit Studenti, FShF-ja shprehu gatishmërinë për të investuar për rivitalizimin e tyre dhe rikthimin në terrene optimale sportive, në shërbim të komunitetit.

“Jemi njohur në media për tjetërsimin e truallit te kompleksi Dajti, për ndërtim pallatesh, apo lënien në harresë të fushave në Qytetin Studenti. Na vjen shumë keq dhe shprehim gatishmërine që të investojmë në këto terrene, për t’i kthyer në gjendje optimale, në shërbim të komunitetit. Jemi gati të investojmë qoftë 50% me 50% me bashkinë, qoftë 100% vetëm ne”, u shpreh Verçani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat