Egnatia - Tirana, një ndër sfidat më interesante

Futboll

Egnatia - Tirana, një ndër sfidat më interesante

Më: 16 prill 2022 Në ora: 11:36
Egnatia -Tirana, një ndër sfidat më interesante

Edhe pse bëhet fjalë për objektiva të kundërt, Egnatia – Tirana është një ndër sfidat më interesante të javës së 29-të të Kategorisë Superiore. Kjo pasi bëhet fjalë për dy nga skuadrat më në formë të kampionatit.

Tirana dihet, udhëton me vela të hapura drejt titullit të 26 kampion, 16 pikë para ndjekësve të afërt më të Laçit dhe me forcën e bardhebluve në të gjitha aspektet e lojës tanimë të konfirmuar, të vetmet pikëpyetje kanë të bëjnë nëse në një situatë të tillë do të arrijnë të ruajnë përqendrimin maksimal në çdo sfidë, shkruan Supersporti,

Diçka për të cilën bardheblutë dhanë një provë të fortë në sfidën e fundit, ku u treguan të pamëshirshëm kur gjunjëzuan 4-0 Skënderbeun, duke i dhënë ndoshta goditjen përfundimtare formacionit korçar. Shehi ndërkohë është i vendosur të hedhë në fushë më të mirët për të mbyllur sa më shpejt edhe matematikisht llogaritë e titullit.

Në krahun tjetër, Egnatia vjen në një formë të shkëlqyer, formacioni i Zekeria Ramadanit ishte ndër më të mirët e fazës së tretë dhe në këtë sfidë vjen pas dy fitoresh dhe dy barazimesh, kanë ndalur Partizanin dhe Kukësit duke triumfuar ndaj Vllaznisë dhe Dinamos.

Gjithsesi aktualisht në vendin e tetë që të detyron të luash edhe një sfidë play out-i për të siguruar mbijetesën, objektivi i Egnatias është pikë së pari të mos lejojë afrimin e Dinamos që është 8 pikë larg, dhe pse jo të parakalojë një mes Teutës dhe Kastriotit për ta mbyllur çështjen e qëndrimit pa sfidën shtesë.

Objektiva për të cilat skuadra e Ramadanit duket se i ka të gjitha letrat në rregull, pasi ka fituar siguri në mbrojtje, një repart që në 3 ndeshjet e fundit ka pësuar vetëm një gol, ndërsa sulmi ka shënuar 6.

Gjithsesi tanimë reparti sulmuesi i Egnatias është para një prove të vështirë, mbrojtjes më të mirë të kampionatit të cilës rrogozhinasit në 3 përballjet e mëparshme sezonale i kanë shënuar vetëm një, herë në fazën e parë kur barazuan 1-1 ndërsa dy sfidat e tjera janë fituar nga bardheblutë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat