Gabriel Jesus është gjithnjë e më afër Arsenalit.
Sulmuesi brazilian pritet të largohet nga Manchester City në fund të këtij sezoni, por jo edhe nga Premierliga.
Menaxheri i futbollistit, Marcelo Pettinati i ka konfirmuar bisedimet me drejtuesit e “Gunners”.
Madje, ai ia la dyert e hapura transferimit të klientit të tij në “Emirates Stadium”.
“Ne kemi pasur bisedime me Arsenalin për Gabriel Jesusin. Ne na pëlqen projekti. Është një mundësi, jemi duke diskutuar”, u përgjigj menaxheri i lojtarit për gazetarin sportiv italian, Fabrizio Romano.
Por, Arsenali nuk është klubi i vetëm që ka shfaqur interesim për përfaqësuesin brazilian.
“Janë edhe gjashtë klube të interesuar për Gabriel. Ai është i fokusuar në ndeshjet e fundit me Man Cityn, të shohim”, përfundoi Pettinati.
Man City së fundmi e transferoi Erling Haalandin, i cili do të jetë sulmuesi kryesor tek kampioni aktual anglez, ndërsa Gabriel Jesus duhet ta gjejë një ekip ku do të mundë të luante në vazhdimësi.