Kukësi e Tirana ndajnë nga një pikë në start

Futboll

Kukësi e Tirana ndajnë nga një pikë në start

Më: 19 gusht 2022 Në ora: 19:02
Kukësi e Tirana ndajnë nga një pikë në start

Edicioni i 84-t i kampionatit kombëtar të futbollit “Abissnet Superiore” ka nisur sot zyrtarisht rrugëtimin për sezonin 2022/2023 me ndeshjen hapëse Kukësi – Tirana që u luajt në stadiumin “Kukës Arena” dhe u mbyll në barazim 1-1.

Para nisjes së sfidës siç e do tradita Federata Shqiptare e Futbollit organizoi një ceremoni festive me pjesëmarrjen edhe të futbollistëve të vegjël kuksianë, ndërkaq, topin e parë nga mesi i fushës e ka shkelmuar ish-futbollisti Pëllumb Kërxhaliu, i cili ka qenë kapiteni i skuadrës kuksiane në vitet ’70-’80.

Sa i përket ndeshjes, ishin vendasit e drejtuar nga Skënder Gega ata që e nisën vrullshëm dhe gjetën golin e avantazhit që në minutën e tretë me anë të sulmuesit Kleidi Daci, i cili shënoi emrin si autori golit të parë të edicionit të 84-t të Superiores.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0 për vendasit, të cilët shfaqën një epërsi të lehtë, me Tiranën që erdhi në rritje dhe shtoi presionin deri në minutën e 56-të, kur gjeti edhe golin e barazimit me anë të Redon Xhixhës.

Në minutën e 71-të, Kleidi Daci u bë edhe protagonist negativ, pasi u bë i pari futbollist që ndëshkohet me karton të kuq për këtë sezon, për një gjest antisportiv dhe la verilindorët me 10 futbollistë në minutat e fundit të sfidës.

Në minutën e 90’ pati një tjetër gjest antisportiv, këtë herë nga tifozeri e Kukësit, që goditi me shishe në kokë Taulant Seferin, megjithatë loja rifilloi normalisht pas vetëm një minute. Deri në fund Tirana nuk ia doli të shfrytëzojë epërsinë numerike, duke bërë që sfida të mbyllej në barazim 1-1.

Start “me frena dore” për kampionët e Shqipërisë, që marrin vetëm një pikë nga transferta verilindore, ndërsa Kukësi i Skënder Gegës tregoi se ka nevojë për kohë, duke qenë një skuadër e ndërtuar rishtazi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat