Kosova U17 dhe U19 mëson kundërshtarët në kualifikimet drejt Evropianit të vajzave

Futboll

Kosova U17 dhe U19 mëson kundërshtarët në kualifikimet drejt Evropianit të vajzave

Më: 7 dhjetor 2022 Në ora: 13:46
Kosova U17 dhe U19

Në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës sot u bë tërheqja e shortit për fazën kualifikuese të Kampionatit Evropian të grupmoshave U17 dhe U19 në konkurrencën e femrave.

Kombëtarja e Kosovës në grupmoshat U17, e cila siguroi promovimin në Ligën A të kualifikimeve për Euro 2023 si skuadra që kishte bilancin më të mirë nga pozita e dytë, u pozicionua në Grupi 5 së bashku me Republikën e Irlandës, Francën e Italinë.

Ndeshjet në kuadër të këtij grupi do të zhvillohen në Francë më datat 23, 26 dhe 29 mars të vitit 2023.

Në Ligën A pjesëmarrëse janë 28 ekipe, ku shtatë fituesit eventual të grupeve do të kualifikohen drejt Kampionatit Evropian që zhvillohet në Estoni, ndërkaq skuadrat që përfundojnë në vendin e katërt në grupet e tyre do të bien në Ligën B.

Në anën tjetër, Kosova U19 do të jetë pjesëmarrëse e kualifikimeve në Ligën B të Euro 2023, ku tani është pozicionuar në Grupin 3 së bashku me Irlandën e Veriut, Qipron dhe Letoninë.

Përballjet e këtij grupi zhvillohen më data 4,7 dhe 10 prill të vitit të ardhshëm në Irlandën e Veriut. Fituesi i çdo grupi dhe kombëtarja me bilancin më të mirë nga pozitat e dyta promovohen në Ligën A për të vazhduar më pas kualifikimet drejt Evropianit 2023. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat