Fitojnë Tirana dhe Partizani, Egnatia për herë të parë në Europë

Futboll

Fitojnë Tirana dhe Partizani, Egnatia për herë të parë në Europë

Më: 21 maj 2023 Në ora: 18:50
Tifozët e Tiranës

Fitojnë Tirana dhe Partizani, Egnatia siguron për herë të parë në histori pjesëmarrjen në Europë, feston edhe Teuta, ndërkohë që u mbyll pa fitues dueli Bylis-Kukësi.

Bardheblutë e Orges Shehit triumfuan 1-3 në Laç, duke hedhur një hap drejt titullit kampion. Goli i Florent Hasanit dhe dygolëshi i Ardit Hilës u dhuruan kampionëve në fuqi një fitore të madhe në Kurbin.

Realizimi i Saliou Guindo në minutat shtesë, u shërbeu vetëm për statistikë bardhezinjve. Tirana vijon të kryesojë kampionatin shqiptar me 63 pikë, dy më shumë se Partizani ndjekës.

“Demat” mposhtën 2-1 Vllazninë në kryeqytet. Arinaldo Rrapaj dhe Eljon Sota i dhuruan Partizanit avantazhin e dyfishtë në pjesën e parë. Shkodranët reaguan me Bekim Balajn, por nuk ia dolën të gjenin golin e barazimit.

Egnatia fitoi 3-2 përballë Erzenit (Dwamena 2x, Musta/Ademi, Kapllani), duke siguruar zyrtarisht vendin e tretë. Skuadra rrogozhinase do të luajë në Conference League gjatë verës. Teuta iu fal golit të shpejtë të Ledio Beqjes për të thyer 1-0 Kastriotin dhe për të parakaluar Laçin në renditje.

Dramë dhe emocione të forta në Bylis-Kukësi (1-1).

Vendasit kaluan në avantazh falë golit me penallti të Vangjel Zguros në “limite”, por me penallti shënuan edhe verilindorët me anë të kapitenit Gjelbrim Taipi (100+2′).

Skuadra ballshiote e mbylli ndeshjen me nëntë lojtarëve pas daljeve me të kuq të Joalisson dhe Zguros. Dy javë kanë mbetur për t’u luajtur deri në fundin e këtij sezoni në Abissnet Superiore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat