Mesfushori i Elbasanit, Kasa: Ka ardhur koha të tregojmë veten në transferta

Futboll

Mesfushori i Elbasanit, Kasa: Ka ardhur koha të tregojmë veten në transferta

Më: 24 nëntor 2023 Në ora: 18:42
Elbasani

Elbasani konfirmoi se është i pamposhtur në “Elbasan Arena”. Ashtu ndodhi edhe ndaj Kastriotit në ndeshjen e fundit, ku verdheblutë fituan në shifrat 3-1. Gjithsesi, tani ka ardhur koha që skuadra të tregojë veten edhe në transferta.

Jo se jashtë shtëpisë nuk ka fituar, por nuk janë treguar gjithnjë të saktë, duke lënë edhe pikë në fusha ku nuk mendonin se do të dilnin me rezultat negativ. Tani ekipit thuajse i janë rikthyer të gjithë lojtarët, ndaj edhe pritshmëritë janë më të mëdha, pse jo për të nisur një cikël fitoresh radhazi.

KASA – Një nga lojtarët më të spikatur të Elbasanit të Nevil Dedes është mesfushori Arsen Kasa. Një titullar fiks mes shumë konkurrentëve në këtë repart. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes me Kastriotin, ai shprehet se ekipi ka bërë detyrën dhe njëherë tregoi se jo më kot pretendon ngjitjen.

“Morëm një fitore të rëndësishme ndaj Kastriotit, i cili nuk është një kundërshtar i lehtë për asnjë. I kishim detyrim tri pikët, duke ruajtur pozitat që kishim në klasifikim.

Tani kjo ndeshje kaloi dhe duhet të mendojmë për sfidën e radhës. Një ekip si ne që synon Superioren, kurrsesi nuk mund të bëjë gabime në shtëpi”, u shpreh fillimisht Arsen Kasa, autori i një goli me verdheblutë për këtë sezon.

VORA – Mesfushori u ndal më pas te sfida me Vorën në fushën e këtyre të fundit. Sipas tij, ekipi do të luajë për të marrë maksimumin, ndonëse e kanë të qartë se nuk do të jetë një shëtitje për ta.

“Nuk kemi shumë kohë për të menduar, pasi menjëherë luajmë një tjetër ndeshje të vështirë. Vora është një nga rivalet tona ketë sezon dhe e ka treguar me paraqitjet e saj. Objektivi ynë është të marrim maksimumin dhe për këtë qëllim do të hyjmë në fushë.

Ndoshta në transferta nuk kemi qenë aty ku duhet, ku shpesh kanë ndikuar edhe terrenet jo të mira. Në Vorë ke mundësi të shpalosësh futbollin tënd dhe e shohim si një mundësi të mirë për të treguar se sa vlejmë.

Ne kemi ardhur në një fazë që duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë, pa parë se do luajmë më fushën tonë apo jashtë”, mbylli prononcimin e tij për gazetën 26-vjeçari, i cili është ndër ata lojtarë që ka qenë pjesë e ekipit të Elbasanit edhe sezonin e kaluar në Kategorinë e Dytë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat