Hamburgu shkëlqen me katër gola ndaj Mainzit

Futboll

Hamburgu shkëlqen me katër gola ndaj Mainzit

Më: 5 tetor 2025 Në ora: 23:34
Pamje nga ndxeshja

SV Hamburg dhuroi spektakël të dielën duke mposhtur 4:0 Mainzin, në atë që u konsiderua si ndeshja më e mirë e tyre që nga rikthimi në Bundesliga këtë verë pas shtatë vitesh mungesë.

Albert Sambi Lokonga dhe Rayan Philippe shënuan dy gola të shpejtë në minutat e para, ndërsa Jean-Luc Dompé dhe Philippe me golin e dytë vulosën një fitore bindëse që ngriti moralin e skuadrës.

Me këtë rezultat, Hamburgu ngjitet në vendin e nëntë me shtatë pikë nga tre ndeshjet e fundit.

VfB Stuttgart reagoi pas zhgënjimit në Europa League, duke mposhtur minimalisht 1-0 Heidenheimin me një gol të Bilal El Khannouss në minutën e 65-të.

Ky ishte suksesi i tretë radhazi në kampionat për Stuttgartin, që ngjitet në vendin e katërt dhe regjistron tre fitore në shtëpi pa pësuar gol – një arritje e parë që nga sezoni i artë 1991-92.

Ende pa fitore në Gladbach

Në ndeshjen tjetër të ditës, Borussia Mönchengladbach dhe Freiburg ndanë pikët pas një barazimi pa gola në BORUSSIA-PARK. Gladbach mbetet ende pa fitore në këtë sezon, ndërsa Freiburg vazhdon serinë pozitive, duke shënuar gjashtë ndeshje radhazi pa humbje në të gjitha kompeticionet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat