Hajduku i Splitit e mbylli sezonin në Kampionatin e Kroacisë në vendin e dytë, me plot 18 pikë më pak se kampioni Dinamo e Zagrebit.
“Megjithatë, falë faktit që Dinamo fitoi “kurorën e dyfishtë” (kampionatin dhe kupën), Hajduku sezonin e ardhshëm do ta nisë aventurën evropiane nga raundi i parë kualifikues i UEFA Europa League.
Kjo do të thotë se skuadra nga “Poludi” nëse eliminohet do të vazhdojë në kualifikimet e UEFA Europa Conference League”, shkruan media kroate “Tportal”.
“Ndër kundërshtarët e mundshëm të Hajdukut janë: Vestri, Derry City FC, NK Aluminij, FC Universitatea Cluj, MSK Zilina dhe Vojvodina.
Një duel rajonal mes Hajdukut dhe Vojvodinës do të tërhiqte vëmendje të madhe.
Një përballje e tillë do të kishte peshë të veçantë jo vetëm për traditën e dy klubeve, por edhe për interesimin e madh të tifozëve në të gjithë rajonin.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse UEFA do të lejojë një ndeshje të tillë që në këtë fazë të garës.
Para shortit, klubet mund të ndahen në dy nën-grupe me nga tre skuadra secila. Në atë rast, UEFA do të kishte mundësinë të ndajë Hajdukun dhe Vojvodinën, duke pamundësuar një përballje direkte mes tyre.
Sipas projeksioneve aktuale, nëse formohen nën-grupe, pothuajse është e sigurt se Hajduku dhe Vojvodina do të përfundojnë në pjesë të ndryshme të shortit, çka do ta bënte të pamundur përballjen mes tyre.
Nga ana tjetër, nëse UEFA vendos të mos krijojë nën-grupe, shorti do të ishte plotësisht i hapur dhe një duel Hajduku – Vojvodina mund të ndodhë”, shkruan më tej.