Intervista e shumëpritur që u zhduk nga ekrani.
Puntata e fundit sezonale e emisionit investigativ “Report” në “Rai 3” pritej me interes të madh, pasi ishte paralajmëruar një hetim i detajuar mbi botën e arbitrimit në futbollin italian.
Në qendër të tij duhej të ishte dëshmia e ish-arbitrit Paskuale De Meo, i cili ka drejtuar ndeshje nga viti 2013 deri në 2024. Megjithatë, pjesa kushtuar arbitrave nuk u transmetua kurrë.
Në ekran u shfaq vetëm investigimi mbi mekanizmat e merkatos së futbollit, ndërsa intervista e De Meos dhe temat e lidhura me arbitrimin munguan plotësisht.
Paralajmërimi i Ranuçit: Po përpiqen të na ndalojnë
Pak ditë para transmetimit, gazetari dhe drejtuesi i emisionit, Sigfrido Ranuçi, kishte denoncuar publikisht presione për të bllokuar investigimin. “Menjëherë pasi njoftuam hetimin mbi futbollin dhe arsyet e dështimit të kombëtares italiane për t’u kualifi kuar tri herë radhazi në Kupën e Botës, mbërritën paralajmërime ligjore nga ‘zotërinjtë e futbollit’ për të penguar transmetimin e ‘Report’”, kishte shkruar ai në rrjetet sociale.
Zemërimi i tifozëve: Kush e bllokoi shërbimin?
Mungesa e segmentit mbi arbitrat shkaktoi reagime të forta në rrjetet sociale. Shumë tifozë ngritën pikëpyetje mbi arsyet e mos-transmetimit dhe folën për censurë. Komentet varionin nga: “Në fund ia dolën ta bllokonin investigimin”, deri te pyetjet direkte: “Kush e ndaloi transmetimin?”. Të tjerë e konsideruan këtë një shembull të ndikimit që, sipas tyre, strukturat e futbollit ushtrojnë mbi informacionin publik.
Çfarë kishte deklaruar isharbitri De Meo?
Në materialet paraprake të publikuara nga “Report”, De Meo kishte folur për një trajtim të pabarabartë mes arbitrave dhe për ekzistencën e një sistemi që, sipas tij, “mbronte vetveten”. Ai deklaronte se brenda ambientit të arbitrimit qarkullonin vazhdimisht zëra për përdorimin e sinjaleve të koduara në qendrën VAR të Lisones. Sipas tij, fl itej për trokitje, gjeste me duar apo shenja të tjera që mund të tregonin nëse duhej ose jo të kishte ndërhyrje nga VAR-i gjatë ndeshjeve.
Dyshimet mbi arbitrat “e preferuar” dhe çështja Inter
Një nga temat më të pritura kishte të bënte me hetimet që lidhen me disa emërime arbitrash dhe me pretendimet për arbitra të konsideruar si “të preferuar” nga Interi. Mes ndeshjeve të përmendura në diskutimet e fundit ishin sfi da Udineze– Parma, si dhe emërimet e arbitrave për ndeshjet e Interit kundër Milanit dhe Bolonjës. Tifozët prisnin që “Report” të zbulonte detaje të reja mbi këto çështje, por segmenti nuk u transmetua dhe asnjë shpjegim zyrtar nuk u dha për mungesën e tij.
“Report” fokusohet te merkatoja dhe roli i agjentëve
Në vend të skandalit të arbitrave, emisioni iu kushtua gjerësisht merkatos së futbollit. Investigimi analizoi blerjen e futbollistëve të huaj, ndikimin e agjentëve dhe marrëdhëniet e tyre me klubet. Një agjent anonim deklaroi se në futbollin modern talenti nuk është më elementi kryesor, por interesat ekonomike dhe lidhjet mes agjentëve, drejtuesve sportivë dhe presidentëve të klubeve. Sipas tij, shumë operacione transferimi kryhen jo sepse lojtarët janë më të talentuar apo më ekonomikë, por sepse ekzistojnë interesa të përbashkëta biznesi mes palëve të përfshira.
Misteri mbetet i hapur
Për momentin nuk ka asnjë sqarim zyrtar se pse segmenti mbi arbitrat u hoq nga programi. Me sezonin e “Report” tashmë të mbyllur për pushimet verore, mbetet e paqartë nëse investigimi do të publikohet në të ardhmen apo do të mbetet një nga misteret më të diskutuara të futbollit italian.