Gazetari sportiv, Arlind Sadiku i ka kërkuar falje publikisht legjendës së komentimit dhe gazetarisë sportive, Azem Brovinës.
“Raportimin e Kupës së Botës nga dita e parë e deri në finale nuk e ka bërë asnjë gazetar shqiptar në histori”, kishte shkruar Sadiku në profilin e tij në facebook.
Legjenda e komentimit dhe gazetarisë sportive, Azem Brovina, reagoi sot, përmes gazetës kombëtare “Bota sot”, se Arlind Sadiku nuk është gazetari i parë shqiptar që do të raportojë nga një Kampionat Botëror:
“Në Kampionatin Botëror të vitit 1974 në Gjermani kam raportuar që nga dita e parë deri në finale. Kam bërë ndeshjen hapëse të kampionatit mes ish-Jugosllavisë dhe Brazilit, që përfundoi 0:0.
Por kam raportuar deri në ndeshjen finale.
Atë ndeshje përveç se këto të grupit i ka komentuar për televizionin e Prishtinës, Veli Vraniqi dhe Kemajl Çarkaxhiu.
Në vitin 1974 për gazetën ‘Rilindja’, prej ditës së parë deri në të fundit, bile para dhe pas të fundit ka shkruar për ‘Rilindjen’ redaktori i atëhershëm i redaksisë, Ali Shala.
Pastaj, në vitin 1990, në Kampionatin Botëror në Itali, Veli Vraniqi ka raportuar për Televizionin e Prishtinës, Agim Binaku për Radio Prishtinën, ndërsa Burim Hatipi ka raportuar për gazetën ‘Rilindja. Kështu që nuk është i pari gazetar Arlindi, mund mos të jetë i informuar por deklarata e tilla nuk jepen ashtu kuturu e pa verifikuar vetëm se dëshiron të kundërshtojë atje një gazetar të Shqipërisë”.
Arlind Sadiku, si burrat i ka kërkuar falje Azem Brovinës.
“Ta heqi kapelën për punën që e ke bërë për shumë vite në gazetarinë sportive dhe të kërkoj falje që nuk kam pasur informacion që e keni raportuar gjithë Botërorin nga vendi i ngjarjes!
Unë kam mësuar shumë nga gjeneratat e vjetra të gazetarëve të cilët kanë pasur pasion të jashtëzakonshëm për punë si ju, Agim Binaku, Milaim Krasniqi, Veli Vraniqi, Agim Kasapolli etj.
Ky pasion dhe vullnet për punë mungon shumë tek gjeneratat e reja të gazetarëve, fatkeqësisht.
Qëllimi i shkrimit ka qenë që për mua është emocion i madh dhe sakrificë të raportoj Botërorin e parë nga vendi i ngjarjes.
Njerëzit nuk i dijnë sakrificat që bëhen për të realizuar këtë punë.
Respekt!”, ka kërkuar falje Sadiku.