FIFA nuk ndryshon rregullin e pushimeve për hidratim, pavarësisht kritikave

Futboll

FIFA nuk ndryshon rregullin e pushimeve për hidratim, pavarësisht kritikave

Më: 1 korrik 2026 Në ora: 14:09
Kupa

FIFA ka vendosur të vazhdojë me pushimet për hidratim në Kupat e ardhshme të Botës, pavarësisht kritikave të shumta nga tifozët, të cilët akuzuan organizatën për mungesë konsistence gjatë ndeshjes mes Meksikës dhe Ekuadorit.

Pak para fillimit të sfidës në stadiumin “Azteca”, ndeshja u shty me një orë për shkak të stuhive në zonë.

Në njoftimin zyrtar, FIFA bëri të ditur se takimi do të niste sapo kushtet të ishin të sigurta dhe theksoi se nuk do të kishte pushime për hidratim, për shkak të vonesës së shkaktuar nga moti i keq.

Megjithatë, gjatë ndeshjes, e cila përfundoi me fitoren 2-0 të Meksikës falë golave të Julián Quiñones dhe Raúl Jiménez, loja u ndërpre dy herë për pushime hidratimi, edhe pse temperatura ishte rreth 14 gradë Celsius dhe binte shi.

Më vonë, FIFA ndryshoi deklaratën e saj zyrtare, duke hequr pjesën ku thuhej se nuk do të kishte pushime për hidratim.

Reagime të ashpra nga tifozët

Ky ndryshim i papritur shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale.

“Thanë se nuk do të kishte pushime për hidratim. Na gënjyen”, shkroi një tifoz.

Një tjetër komentoi: “FIFA: Nuk ka pushime për hidratim. Gjithashtu FIFA: Tani është koha për reklama dhe pushim për hidratim.”

Ndërsa një tifoz tjetër ironizoi: “Kjo ishte reklamë e rreme.”

Pushimet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen

Pushimet për hidratim u përdorën edhe në Kupat e Botës 2014 dhe 2018, por në edicionin 2026 ato janë bërë pjesë e çdo ndeshjeje, duke e ndarë praktikisht secilën pjesë në dy segmente, ngjashëm me formatin e NBA-së apo NFL-së.

Përjashtimi i vetëm deri tani ishte fitorja 3-0 e Francës ndaj Irakut, ku pjesa e dytë u zhvillua pa pushim për shkak të një vonese të gjatë të shkaktuar nga kushtet atmosferike.

Shumë tifozë besojnë se këto ndërprerje prishin ritmin e lojës, por sipas raportimeve të City AM, FIFA nuk planifikon t’i heqë ato.

Madje, organizata pritet t’i përdorë edhe në Kupën e Botës 2030, që do të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Marok, si dhe në edicionin e vitit 2034 në Arabinë Saudite, ku temperaturat pritet të jenë edhe më të larta.

Sipas të njëjtit burim, FIFA do të bëjë një rishikim të politikës së pushimeve për hidratim vetëm pas përfundimit të Kupës së Botës 2026.

Ndërkohë, UEFA ka konfirmuar se në Euro 2028, që do të organizohet nga Anglia, Skocia, Uellsi dhe Irlanda, nuk do të aplikohen pushime për hidratim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat