Përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, nuk e fshehu lumturinë pas fitores 2:0 ndaj Francës në gjysmëfinalen e Kampionatit Botëror, sukses që i siguroi "La Rojës" kualifikimin në finalen e madhe.
Spanja dominoi plotësisht ndeshjen në Dallas dhe fitoi falë golave të Mikel Oyarzabalit nga penalltia dhe Pedro Porros, duke siguruar finalen e dytë në historinë e saj në Kampionatin Botëror.
"Është e vështirë të përshkruaj atë që ndiejmë, por kjo është lumturi e pastër.
Ky grup lojtarësh është i jashtëzakonshëm.
Megjithatë, na mbetet edhe një hap për ta bërë. Është grumbulluar shumë tension, sepse të jesh në finale është një përgjegjësi e madhe dhe një privilegj. Ende duhet ta kuptojmë se çfarë kemi arritur", tha De la Fuente.
Ai foli edhe për forcën e Francës, por theksoi se skuadra e tij është aktualisht më e mira në botë.
"Në zhveshtore u thamë lojtarëve se do të përballeshim me një nga ekipet më të mira në botë, me disa nga futbollistët më të mirë në botë. Por edhe ata u përballën me ekipin më të mirë në botë.
Lojtarët e mi bënë që ajo që është e vështirë të dukej e lehtë", deklaroi trajneri spanjoll.