​Ademi kujton Agim Bytyqin në gjashtëvjetorin e vdekjes së tij

Futboll

​Ademi kujton Agim Bytyqin në gjashtëvjetorin e vdekjes së tij

Më: 10 tetor 2026 Në ora: 15:27
Agim Bytyqi

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka kujtuar ish-kryetarin e parë të FFK-së, Agim Bytyqin, në gjashtëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Përmes një mesazhi përkujtimor, Ademi ka vlerësuar lart kontributin e Bytyqit në themelimin dhe zhvillimin e futbollit të pavarur të Kosovës, duke e cilësuar atë si një nga figurat emblematike të sportit kosovar.

Ai ka theksuar se Bytyqi, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, pati guximin dhe vendosmërinë për të punuar për një futboll të lirë e të pavarur, në kohë kur kjo kërkonte sakrificë dhe përkushtim të madh.

Sipas Ademit, puna dhe vizioni i tij hodhën themelet e një institucioni që sot përfaqëson futbollin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Presidenti i FFK-së ka nënvizuar gjithashtu se arritjet e sotme të Kombëtares dhe klubeve kosovare janë rezultat edhe i përkushtimit të figurave që kontribuuan në kohët më të vështira për futbollin e vendit.

“Vepra, kontributi dhe ideali i Agim Bytyqit janë e do të mbeten pjesë e pandashme e ADN-së së FFK-së. Është përgjegjësi e jona institucionale dhe njerëzore që këtë trashëgimi ta ruajmë me krenari e ta lartësojmë ditë pas dite”, ka shkruar Ademi.

Në fund të mesazhit të tij, Ademi ka shprehur mirënjohjen për kontributin e ish-kryetarit të FFK-së, duke theksuar se kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten të përjetshme në historinë e futbollit kosovar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat