Nënshkruhet memorandumi për ndërtimin e stadiumit të atletikës në Fushë Kosovë

Futboll

Nënshkruhet memorandumi për ndërtimin e stadiumit të atletikës në Fushë Kosovë

Më: 19 tetor 2026 Në ora: 17:37
Pamje nga takimi

Në Fushë Kosovë është nënshkruar memorandumi për ndërtimin e stadiumit të atletikës, një projekt që synon përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e këtij sporti në vend.

Memorandumi u nënshkrua të hënën, më 19 tetor, në zyrën e kryetarit të Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, dhe kryetarit të Federatës Atletike të Kosovës, Halil Sylejmani.

Sipas Federatës Atletike të Kosovës, Kuvendi Komunal ka miratuar kërkesën për ndarjen e një trualli me sipërfaqe prej dy hektarësh e 12 ari, në zonën kadastrale Miradi e Poshtme, për ndërtimin e stadiumit.

Realizimi i projektit pritet të bëhet nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht ministria përgjegjëse për sport dhe rini, në bashkëpunim me Komunën e Fushë Kosovës.

Stadiumi do të jetë në shfrytëzim të përhershëm të Federatës Atletike të Kosovës.

Federata bëri të ditur se kryetari i komunës kishte ofruar dy hapësira të ndryshme tokësore, ndërsa pas shqyrtimit ishte përzgjedhur trualli në Miradi të Poshtme.

Ky projekt konsiderohet një hap i rëndësishëm për zhvillimin afatgjatë të atletikës në Kosovë, duke synuar krijimin e infrastrukturës së nevojshme për atletët dhe avancimin e kushteve të stërvitjes e të garave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat