Gaye: Duhet të konkretizojmë rastet dhe të ruajmë portën e paprekur

Futboll

Gaye: Duhet të konkretizojmë rastet dhe të ruajmë portën e paprekur

Më: 23 tetor 2026 Në ora: 13:15
Baboucarr Gaye

Portieri i KF Shkëndija, Baboucarr Gaye, u paraqit para gazetarëve në konferencën zyrtare për shtyp në prag të sfidës së xhiros së 11-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut kundër Vardarit.

Ndeshja do të zhvillohet të shtunën në stadiumin e qytetit në Gostivar me fillim nga ora 14:00. 

Rikthimi i lojtarëve të dëmtuar…

Baboucarr Gaye: “Mendoj se është shumë e rëndësishme.

E dini, kjo frymë në futboll gjithmonë të ndihmon të kthehesh në potencialin tënd të plotë dhe të fitosh besim, e unë mendoj se besimi është shumë i rëndësishëm. Në javët e fundit na mungoi pak kjo frymë për të cilën po flisni, lamë pikë që s’duhej t’i lëshonim, por kjo i përket së kaluarës.

Tani duhet të fokusohemi te ajo që na pret përpara. Jemi të gatshëm për këtë detyrë, çdo lojtar në të gjithë skuadrën është i gatshëm.

Pavarësisht nëse futesh nga stoli apo e nis nga fillimi, mendoj se të gjithë kanë mentalitetin për të dhënë 100% nga vetja. Kam shumë besim te skuadra jonë dhe i pres me padurim ndeshjet.”

Efikasitetin para portës…

Baboucarr Gaye: “Siç e thashë, kam besim te secili që është në këtë ekip dhe që vesh këtë stemë, kështu që mund të them se jam besimplotë. Thjesht duhet ta shfaqim këtë në fushë, jo vetëm në stërvitje, por në çdo ndeshje e në çdo minutë.

Të shfrytëzojmë rastet që krijojmë, sepse nëse shënon gola, futbolli bëhet shumë më i lehtë. Unë jam aty për të mbajtur portën e paprekur dhe shpresoj që kjo të nisë që tani, sepse na ka munguar gjithashtu në javët e fundit. Por në përgjithësi jam shumë besimplotë te ekipi, fryma është e mirë, kemi motivimin e brendshëm që është shumë i rëndësishëm dhe shpresoj të marrim pikët që na nevojiten.”

Roli i tifozëve dhe mbështetja nga tribuna…

Baboucarr Gaye: “Është gjithmonë mirë kur ke mbështetje mbrapa teje, qoftë në periudha kur loja është më e ngadaltë apo më intensive. Në ndeshje të tilla hyjnë në lojë edhe emocionet. Ne duhet të kontrollojmë veten, që është shumë e rëndësishme, por kjo mbështetje mund të të japë një shtytje të madhe. Tifozët janë gjithmonë të shkëlqyer në ndeshje të tilla.

Në fund gjithçka varet nga ajo që do të tregojmë ne në fushë dhe nëse bëjmë paraqitjen që kemi planifikuar, ata do të na mbështesin dhe të gjithë së bashku mund ta shijojmë fitoren.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat