Klubi i Egnatias ka bërë publike pak orë para ndeshjes me Vorën situatën e mbrojtësit Eljon Sota, i cili i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale pas një dëmtimi të rëndë që pësoi pak ditë më parë në kampionat.
Rrogozhinasit kanë bërë të ditur se pas përfundimit me sukses të ndëhyrjes kirurgjikale në Barcelonë, futbollisti kishte nisur atje rehabilitimin para se të kthehej në Shqipëri për ta plotësuar një rrugëtim i cili do ta lërë për një periudhë të gjatë jashtë fushave të lojës.
NJOFTIMI I EGNATIAS
Siç e dini gjatë ndeshjes Egnatia–Teuta, futbollisti ynë Eljon Sota pësoi një dëmtim të rëndë në regjionin e kyçit të këmbës, i shoqëruar me frakturë të fibulës (kockës së vogël të kërcirit).
Lojtari pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në Barcelonë, e cila u realizua me sukses vazhdon rehabilitimin atje.
Në vijim, Eljon do të qëndrojë për dy javët e para në Barcelonë, ku do të ndjekë fazën fillestare të rehabilitimit postoperator, nën kujdesin dhe mbikëqyrjen e specialistëve mjekësorë. Më pas, procesi i rikuperimit do të vijojë në Shqipëri, sipas protokollit të përcaktuar nga stafi mjekësor.
Një lajm veçanërisht pozitiv është gjendja e tij e shkëlqyer psikologjike. Eljoni po e përballon këtë periudhë me optimizëm, qetësi dhe vendosmëri, ndërsa të gjithë presidenca, stafi, shokët e skuadrës dhe familja Egnatia e presin me padurim rikthimin e tij pranë grupit.
KF Egnatia i uron Eljonit një rikuperim të mbarë, durim dhe forcë në çdo fazë të këtij procesi. Jemi pranë tij dhe do ta mbështesim në çdo hap deri në rikthimin e tij në fushën e blertë.
Forca, Eljon!
E gjithë familja Egnatia është me ty.