Real Madridi mund të bëjë një nga lëvizjet më të bujshme në tregun e transferimeve, pasi presidenti i klubit, Florentino Pérez, raportohet se po shqyrton mundësinë e transferimit të sulmuesit të Manchester Cityt, Erling Haaland.
Sipas gazetarit anglez Nick Harris, një person që së fundmi ka drekuar me presidentin e Real Madridit i ka bërë të ditur se Pérez është gjithnjë e më i bindur se sulmuesi norvegjez mund t’i bashkohet skuadrës madrilene në sezonin e ardhshëm.
Harris, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka pretenduar se Haaland është në krye të listës së dëshirave të drejtuesve të Real Madridit, të cilët po e përcjellin me vëmendje edhe situatën e Manchester Cityt lidhur me akuzat për shkelje të rregulloreve financiare të Premier League.
Sipas tij, agjentët e disa futbollistëve të klubit anglez kanë filluar të shqyrtojnë mundësinë e transferimeve të lira, në rast se situata e Cityt përkeqësohet dhe klubi përballet me sanksione.
Megjithatë, transferimi i Haalandit në Santiago Bernabéu do të sillte edhe dilema të mëdha taktike për trajnerin e Real Madridit. Në skuadër tashmë janë Kylian Mbappé dhe Vinícius Júnior, dy prej yjeve kryesorë të futbollit botëror, të cilët luajnë në repartin ofensiv.
Në këtë situatë, Vinícius Júnior përmendet si njëri prej kandidatëve të mundshëm për t’u larguar, nëse madrilenët vendosin ta transferojnë norvegjezin. Një lëvizje e tillë do t’i hapte hapësirë Haalandit në formacion dhe njëkohësisht do të ndikonte në strukturën e pagave të klubit.
Edhe pozicioni i Mbappés do të kërkonte një riorganizim. Sulmuesi francez preferon të aktivizohet në qendër të sulmit, ndërsa ardhja e Haalandit do ta detyronte Real Madridin të gjente një zgjidhje për shfrytëzimin e potencialit të të dy futbollistëve.
Nga ana tjetër, Haaland nuk raportohet të jetë kundër një transferimi në Madrid. Vizitat e përsëritura të babait të tij në qendrën stërvitore të Real Madridit, Valdebebas, gjatë këtij sezoni janë përmendur si një tjetër element që ka nxitur spekulimet për një lëvizje të mundshme.
Megjithatë, gjithçka mbetet në kuadër të raportimeve dhe spekulimeve, ndërsa zhvillimet rreth Manchester Cityt mund të ndikojnë në të ardhmen e sulmuesit norvegjez.