Federata Shqiptare e Pingpongut ka zhvilluar një tjetër aktivitet të rëndësishëm të kalendarit të saj të garave vjetore, teksa në Elbasan është mbajtur Kampionati Kombëtar Individual për të rritur. Më shumë se 100 sportistë nga 12 klube dhe shoqata të vendit morën pjesë në këtë kompeticion, duke matur forcat në sfidat e zhvilluara në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”.
Ndërkohë, ky aktivitet shërbeu edhe për të përzgjedhur edhe ekipi kombëtar që do të marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik, event që do të zhvillohet më datat 27-31 gusht në Izmir të Turqisë.
Duke u kthyer te ndeshjet e kampionatit, ato ishin tepër interesante dhe me rivalitet.
Në konkurrencën e vajzave ra në sy dominimi i pingpongisteve të Teutës, teksa në finale dolën dy sportiste të ekipit bregdetar, Emirjeta Isufi dhe Samanta Agolli. Emirjeta Isufi mbrojti titullin kampion, duke fituar me rezultatin 3-1 ndaj Samanta Agollit.
Ndërsa podiumi u kompletua nga një tjetër vajzë e skuadrës durrsake, Eleonela Hasani, e cila u klasifikua e treta. Në radhët e meshkujve, në finale u vendosën përballë Aron Koni i Teutës dhe Kejdi Kalaja i Sport Klub Tiranës.
Sportisti durrsak e dorëzoi titullin kampion të vitit të kaluar, pasi u shkurorëzua nga Kejdi Kalaja. Pingpongisti bardheblu triumfoi me rezultatin 3-1, duke merituar kështu trofeun. Ndërkohë vendin e tretë në kampionat e hipotekoi Dorian Tapia i Elbasanit.