​Kush është Kianoush Rostami, kampioni olimpik që sot i solli Kosovës dy medalje?

Sporti

​Kush është Kianoush Rostami, kampioni olimpik që sot i solli Kosovës dy medalje?

Më: 2 shtator 2026 Në ora: 16:31
Kianoush Rostami

Kosova ka fituar edhe një medalje në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, duke e çuar në nëntë numrin e përgjithshëm të medaljeve.

Peshëngritësi Kianoush Rostami është stolisur me medaljen e argjendtë, duke fituar kështu medaljen e dytë për Kosovën në këtë ngjyrë dhe të dytën personale në këtë garë.

Rostami, i lindur më 23 korrik 1991 në Kermanshah të Iranit, vjen nga një familje kurde dhe ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme në peshëngritje.

Ai fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike të Rio 2016, në kategorinë deri në 85 kilogramë, duke ngritur gjithsej 396 kilogramë dhe duke vendosur rekord botëror.

Rostami kishte fituar medaljen e argjendtë edhe në Lojërat Olimpike të Londrës 2012. Fillimisht ishte renditur i treti, por medalja e tij u shndërrua në të argjendtë pasi Apti Aukhadov, i cili kishte përfunduar i dyti, rezultoi pozitiv në testet antidoping dhe u skualifikua.

Karriera e Rostamit është e pasur edhe me suksese të tjera. Në vitin 2011, ai u shpall kampion bote në kategorinë deri në 85 kilogramë. Në vitin 2016, gjatë Fajr Cup në Teheran, Rostami vendosi rekord botëror në stilin e shtytjes, duke ngritur 220 kilogramë, ndërsa po atë ditë vendosi edhe rekord botëror në total me 395 kilogramë.

Në Lojërat Olimpike të Rio de Janeiros, Rostami realizoi një tjetër paraqitje historike. Ai ngriti 217 kilogramë në shtytje, duke barazuar rekordin olimpik, ndërsa me totalin prej 396 kilogramësh vendosi rekord të ri botëror dhe fitoi medaljen e artë.

Megjithatë, karriera e tij olimpike pati edhe një zhgënjim të madh. Pavarësisht se kishte një prej totalëve më të mirë në kategorinë deri në 96 kilogramë gjatë kualifikimeve, ai nuk arriti të kualifikohej për Lojërat Olimpike të Tokios, pasi nuk grumbulloi pikët e nevojshme në periudhën e dytë kualifikuese.

Në mars të vitit 2025, Rostami mori shtetësinë e Kosovës, ndërsa në korrik të po atij viti fitoi të drejtën për ta përfaqësuar Kosovën në garat ndërkombëtare.

Tashmë, kampioni olimpik iranian është pjesë e sportit kosovar dhe synon që përvojën dhe sukseset e tij të mëdha t’i vazhdojë nën flamurin e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat