Ja formacionet e Shkëndijes dhe të Renovës, që sot luajtën baras në derbin madh shqiptar

Futboll

Ja formacionet e Shkëndijes dhe të Renovës, që sot luajtën baras në derbin madh shqiptar

Më: 7 mars 2021 Në ora: 19:06
Ja formacionet e Shkëndijes dhe të Renovës, që sot luajtën baras në derbin madh shqiptar

Shkëndija nga Tetova dhe Renova janë ndarë me barazim 0:0 në duelin e vlefshëm për xhiron e 22-të në elitën e futbollit vendor. Përkundër faktit se nuk fitojmë, kuqezinjtë shtojnë diferencën ndaj Shkupit dhe fazën e dytë të garave e mbyllim me 7-të pikë përparësi, duke hyrë në pol-position për titullin kampion në fazën e tretë dhe të fundit të garave në LPFMV.

Trajneri Gjoka ndeshjen ndaj Renovës e nisi me dy ndryshimë në formacion, kur Florent Ramadani dhe Valmir Nafiu morën përparësi në formacion, duke shkuar në pankinë deri tani lojtarët standard Arbin Zejnullai e Dashmir Elezi. Shkëndija u kanos e para me Alimin në minutën e 9-të kur e majta e tij shkoi skaj shtyllës dhe paralajmëroi se ndeshja do të jetë e hapur, pa lënë të krijohet imazhi se sfida deri në fund nuk do të sillte asnjë gol të vetëm.

Në minutën e 18-të pas aksionit të Muratit, Nafiu godet fortë por jashta kuadratit. Tre minuta më vonë Zahov nuk shqetësohet nga e majta e Muaharemit, ndërsa pak më vonë Selmani e Shefiti zhvillojnë aksion të bukur me këtë të fundit që gjuan mbi traveresë.

Zahov do të vihej në sprovë edhe në minutën e 24-t kur kontrollon të djathtën e Selmanit, ndërsa në minutën e 27-të humbim super mundësi për të avansuar kur zihet i papërgatitur Doriev dhe nuk shfrytëzon hedhjen e gjatë të topit me duar nga Murati. Kansoja e fundit në pjesën e parë ishte për kuqezinjtë kur e majta e fortë e Bejtullait nuk gjen portën e Renovës.

Në fillim të pjesës së dytë Qaka zuri vendin e Ramadanit dhe pikërisht mesfushori do të sillte kërcënimin e parë kur një e djathtë e tij e fortë megjithatë kontrollohet nga Velii. Në anën tjetër Gavazaj nuk gjen portën e Zahovit, ndërsa 10-të minuta pasi kishte nisur pjesa e dytë Selmani nuk gjen portën nga një gjuajtje e lirë në pozitë ideale.

Armend Alimi në minutën e 70-të testoi Velii-n që kontrolloi goditjen, ndërsa deri në fund të ndeshjes përkundër faktit se Shkëndija kishte dominim, rrjetat mbetën të paprekura dhe dy skuadrat dolën me nga një pikë nga ky duel.

SHKËNDIJA – RENOVA 0:0
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Arbitër: Jovan Kaçevski (Strugë)
Golashënues: /
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Neziri, Bejtullai (c), Paviç, Dita, Alimi, Doriev, Ramadani (Qaka 46’), Nafiu (Hebaj 84’), Ibraimi (Da Silva 73’).
Trajner: Ernest Gjoka.
RENOVA: Velii, Gavazaj, Sadiki, Selmani, Shefiti (Tafa 90’+1), Jusufi (Stojçevski 78’), Mishkovski, Fetai, Velija, Muharem (Ramadani 64’), Abdulla.
Trajner: Qatip Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat