Pedri ka kërkuar që Barcelona ta lërë pas humbjen 1-2 nga Real Madridi dhe të përqendrohet te ndeshjet e ardhshme, duke theksuar se gara për titullin e La Ligës është ende e gjatë.
“Liga është shumë e gjatë. Kjo është një ndeshje që të gjithë duam ta fitojmë për t’ua dedikuar tifozëve. Largohemi të trishtuar, por duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës. Titulli i ligës nuk fitohet këtu”, deklaroi mesfushori spanjoll për DAZN pas përfundimit të El Clásicos.
Pedri pranoi se Barcelona nuk zhvilloi një ndeshje të mirë, veçanërisht në pjesën e parë, kur skuadra nuk arriti të luante në nivelin e saj.
“Nuk ishim vetvetja. Na munguan shumë gjëra dhe mund të bënim më mirë. Në pjesën e dytë barazuam, por kur po luanim më mirë, ata shënuan pas një kundërsulmi që nuk e mbrojtëm mirë”, tha ai.
Mesfushori i Barcelonës u ndal edhe te gabimet në lojën me top, duke theksuar se skuadra kishte ritëm të ngadaltë dhe humbi shumë topa në pjesën e parë.
“Na mungoi ritmi me topin. Ishim shumë të ngadaltë dhe bëmë shumë humbje të panevojshme. Kundër një ekipi si Real Madridi, këto gabime të ndëshkojnë”, përfundoi Pedri.
Me këtë fitore, Real Madridi mori tri pikë të rëndësishme në javën e dhjetë të La Ligës, ndërsa Barcelona duhet të reagojë në ndeshjet e ardhshme për të mbetur në garën për titull.