Kristjan Asllani me ide të qarta: Vetëm për fitore në Bjellorusi

Futboll

Kristjan Asllani me ide të qarta: Vetëm për fitore në Bjellorusi

Më: 14 nëntor 2026 Në ora: 19:17
Mesfushori i Kombëtares, Kristjan Asllani

Në prag të ndeshjes Bjellorusi – Shqipëri, e vlefshme për Ligën e Kombeve, Liga C, ka folur në zonën e prononcimeve mesfushori i Kombëtares, Kristjan Asllani:

Gjendja e skuadrës?

Gjendja është shumë e mirë. Kemi bërë seancën e fundit sot në mëngjes. Jemi përgatitur mirë, besoj. Tani do të studiojmë pak ekipin, sonte ose nesër.

E dimë të gjithë se nesër është një ndeshje shumë e rëndë për ne. Na duhet vetëm 3-pikëshi dhe do të luajmë vetëm për fitore. Do të futemi në fushë me shumë karakter dhe agresivitet. Ata janë një ekip shumë fizik.

Ne e kemi parë në ndeshjen e parë të mbajtur në Tiranë. Ne i dimë gjërat tona. Jemi përgatitur mirë. Jemi në një moment të mirë dhe duam ta fitojmë këtë ndeshje.

A do të ketë të njëjtin impenjim edhe ndaj Bjellorusisë nesër?

Po, sigurisht. Kur vesh këtë fanellë, nuk duhet të japësh 100%, por edhe më shumë. Neve na duhet maksimumi. Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë me Finlandën para tifozëve tanë. Jemi shumë të lumtur. Tani do të mendojmë vetëm për Bjellorusinë.

Mungesa e Ramadanit, a do të jetë problem për ju në mesfushë?

Jo, nuk është problem. Në futboll ndodhin këto gjëra. Të gjithë çunat janë gati. E dimë të gjithë që Kombëtarja nuk luan për Ramadanin, Asllanin, por se të gjithë përfaqësojnë kombin tonë. Ne mendojmë vetëm për Shqipërinë.

Përmirësimi i shënjestrës ndaj Bjellorusisë?

Nuk e di. Unë nuk jam sulmues, por shumë qejf do të kisha të shënoja nesër. E rëndësishme është të marrim 3 pikët dhe të dalim të gjithë të lumtur nga kjo sfidë.

Momenti i mirë te Kombëtarja, çfarë ka ndikuar?

Po guxojmë shumë. Trajneri po na kërkon një futboll agresiv. Për mua po shkon shumë mirë, po bëjmë mirë në fushë. Në fillim nuk e kuptuam mirë, por tani ka ndryshuar. Po bëjmë një rrugëtim shumë të mirë të gjithë bashkë.

Asllani më i avancuar dhe me detyra të reja, mundësia për të treguar potencialin?

Ne tani po luajmë me 2 mesfushorë. Trajneri do shumë rotacione. Po them që jam ai mesfushori që lëviz më shumë përpara. Është e vërtetë, sepse po gjuaj edhe më shumë në portë. Kam shumë hapësirë. Po më pëlqen shumë ky sistem që po luajmë tani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat