​Fetahu: Këto janë arsyet pse e krijuam Ligën Kombëtare të Sportit Shkollor

Sporti

​Fetahu: Këto janë arsyet pse e krijuam Ligën Kombëtare të Sportit Shkollor

Më: 2 maj 2021 Në ora: 12:45
Arben Fetahu

Federata e Basketbollit të Kosovës së fundi ka krijuar Ligën Kombëtare të Sportit Shkollor, e cila ka për qëllim zbulimin dhe identifikimin e sa më shumë talentëve në këtë sport.

Kryetari i kësaj federate, Arben Fetahu ka thënë, se kjo nismë është bërë në bashkëpunim me Federatën e Sportit Shkollor dhe se qëllimi kryesor i saj është identifikimi i talenteve të rinj. Sipas tij, kjo strategji është e hartuar për t’u zbatuar në pesë vitet e ardhshme.

Fetahu: Arsyeja e krijimit të kësaj lige është zbulimi i talentëve të rinj

“Ne kemi a arritur një marrëveshje, kemi nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi edhe bashkëpunimi me Federatën e Sportit Shkollor për shkak se kemi pasur për synim si Federatë e Basketbollit që ta organizojmë garën më elitare të sportit shkollor në basketboll në Republikën e Kosovës. Ajo çka ka ndodhur është se ata i kanë zhvilluar garat e veta të cilat i zhvillojnë si rëndom, si çdo vit dhe ekipet më të mira, tetë nga femrat dhe tetë nga meshkujt kanë ardhur dhe do ta zhvillojnë garën elitare të basketbollit shkollor për Republikën e Kosovë nën ombrellën tonë... Arsyeja ka qenë që të përpiqemi që të identifikojmë sa më shumë talentë, që t’i identifikojmë ata në moshën më të hershme të mundshme por edhe ta japim një sinjal për atë që quhet “Nisma e Federatës së Basketbollit për basketbollin për të gjithë”.....Është pjesë e strategjisë për zhvillimin e basketbollit për pesë vitet e ardhshme që thotë që duhet të jemi më aktiv në të gjitha sferat.”, deklaroi Fetahu.

Fetahu ka zbuluar se kjo ligë do të organizohet për çdo vit dhe do të jetë me status të përhershëm, duke pasur një bashkëpunim me të gjitha federatat tjera që lidhen me sportin.

Fetahu: Liga Kombëtare do të zhvillohet për çdo vit

“Dje ka qenë dita e parë e kësaj gare, ka qenë inaugurimi i kësaj gare por do të jetë një organizim i përvjetshëm dhe i përhershëm dhe do të jetë pjesë e iniciativës se Federatës së Basketbollit të Kosovës për të qenë më gjithëpërfshirëse në basketboll, jo vetëm për të organizuar garat zyrtare të Republikës së Kosovës brenda ombrellës së saj drejtpërsëdrejti por edhe në bashkëpunim, në këtë rast me Federatës e Sportit Shkollor, në anën tjetër do të kemi bashkëpunim edhe me Federatën e Sportit Universitar edhe me Federatën e Sportit të Punës. Do të thotë do të përpiqemi që t’i mbulojmë të gjitha në një vend.”, tha Fetahu.

Ndeshjet e kësaj lige, sipas Fetahut, do të zhvillohen në regjione të ndryshme dhe se pjesa kryesore e shpenzimeve është mbuluar nga Federata e Basketbollit të Kosovës.

Fetahu: Ndeshjet e ligës do të zhvillohen në regjione të ndryshme të Kosovës

“Kjo është një garë e veçante ku ne i kemi mbledhur shkollat më të mira dhe atyre shkollave më të mira po ua japim rastin që në këtë garë e cila po themi se është më elitare sepse marrin pjesë vetëm më të mirat e rajoneve të shpallim kampionin e sportit shkollor nën ombrellën e Federatës së Basketbollit të Kosovës.....Është garë e cila për këtë vit zhvillohet kësi soji, në një ditë, në një regjion, dje ka qenë në Obiliq, këtu ne regjionin e Prishtinës, herën e ardhshme të gjitha ekipet do të shkojnë në një regjion tjetër për të garuar atje.... Ne si federatë e kemi mbuluar pjesën më të madhe të kostove për këtë organizim për shkak se e konsiderojmë që është e veçantë por gjithashtu kontribut këtu kanë dhënë edhe Federata e Sportit Shkollor, kontribut domethënës por edhe komunat pjesëmarrëse.”, tha Fetahu.

Kryetari i FBK-së ka komentuar edhe ecurinë e Ligës Unike të Basketbollit, garë kjo e cila u organizua për herë të parë ndërmjet ekipeve më të mira të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë.

Ai tha se ky ishte një organizim shumë i suksesshëm ku u zhvilluan ndeshje shumë kualitative ndërmjet ekipeve të të dy vendeve.

Fetahu: Liga Unike ishte një organizim shumë i suksesshëm

“Isha i kënaqur me atë që organizuam ne për sivjet, nuk isha i kënaqur me faktin që nuk arritëm ta organizojmë ligën e plotë, por këtë nuk arritëm ta bëjmë për shkak të ndalesave të cilat ishin në Republikën e Shqipërisë për zhvillimin e sporteve me dorë apo të gjitha aktiviteteve sportive të brendshme.....por arritëm të organizojmë një “Final 8” të mirë, kualitativ, organizimi ka qenë jashtëzakonisht i mirë edhe në Rahovec edhe ne Durrës. Ekipet pjesëmarrëse besoj që kanë treguar basketboll të mirë. Ajo që për mua ka qenë shumë domethënëse është që të organizojmë diçka sivjet gjatë këtij stinori edhe këtë arritëm që ta bëjmë besoj suksesshëm.

Sipas Fetahut, Liga Unike planifikohet që të zgjerohet edhe më tutje dhe me idenë që të shkohet drejt një lige të përbashkët mbarshqiptare.

Fetahu: Përmes Ligës Unike po synojmë të shkojmë drejt një lige mbarshqiptare

“Ajo që do të ndodhë prej shtatorit e tutje, gjë që është një zhvillim pozitiv tjetër përtej asaj çfarë kemi paraparë ne vetëm për Ligën Unike është se do ta zgjerojmë garën, përfshirë fillimisht së paku në nivel superkupe edhe femrat edhe do të shohim mundësinë që ta organizojmë edhe garën e U18 apo U16 për vitin e parë për ta zgjeruar për të dy këto kategori prej stinorit 2022/23. Do të thotë thjeshtë i dhamë një jehonë këtij organizimi, e kemi vënë në jetë këtë organizim, por ajo që ishte edhe më rëndësishme është se e pamë përmes këtij organizimi se mund të kemi edhe zgjerim të mëtejmë të Ligës Unikë për të përfshirë edhe femrat edhe të rinjtë në të ardhmen duke shkuar kësisoj drejtë një ombrelle të përbashkët të basketbollit mbar-shqiptarë”, theksoi Fetahu.

Krejt në fund, Arben Fetahu foli edhe për rezultatet jo të mira të Kombëtares së Kosovës në Basketboll, për të cilën shtoi se synimi kryesor është që të punohet fuqishëm për të arritur rezultate në vitet 2024/25.

Fetahu: Po punojmë që Kosova të ketë rezultate të mira brenda një periudhe të shkurtër

“Besoj që kemi qenë pak pa fat në këto dy ndeshjet e fundit. Kemi pasur dy ndeshje shumë të ngushta të cilat i humbëm për fat të keq të dyja, por fati sportiv është diçka që duhet të përcjell në sport për të arritur deri te rezultatet. Ajo që është më rëndësi për ne është se ne jemi duke punuar me një plan, me një strategji për të arritur deri te një rezultat më kulminant për katër vite. Nuk mund të arrihen rezultatet menjëherë, ajo që ka ndodhur për një periudhë të gjatë. Fillimisht ta kemi të qartë, ne jemi pjesë e FIBA-së dhe garojmë më pak se pesë vite si kombëtare. Nëse dikush pret që të kemi rezultate kulminante brenda pesë viteve besoj që kjo do të ishte utopike dhe joreale. Ne duhet të arrijmë, të punojmë sistematikisht për të arritur deri te rezultatet kulminante në vitet 2024/25.”, tha në fund Arben Fetahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat