Shaban Tërstena shpërthen në Maqedoninë e Veriut: Deri kur do të ushqehemi vetëm me premtime?

Sporti

Shaban Tërstena shpërthen në Maqedoninë e Veriut: Deri kur do të ushqehemi vetëm me premtime?

Nga: K. G. Më: 11 prill 2025 Në ora: 18:43
Shaban Tërstena

Kampioni olimpik në vitin 1984 dhe nënkampioni olimpik në vitin 1988, Shaban Tërstena, legjenda e mundjes, ka shpërthyer me kritika ndaj mundësve në Maqedoninë e Veriut.

Tërstena çuditet se si po shkojnë punët aq keq me mundjen në këtë shtet.

“Deri kur do të ushqehemi vetëm me premtime?

Kampionati Evropian i Mundjes për seniorë përfundoi para pak ditësh në Bratislavë, Sllovaki, dhe ne, si gjithmonë, mbetëm me duar bosh dhe me fjalë të mëdha që nuk sjellin asgjë.

Kanë kaluar plot 35 vjet që kur fitova medaljen e artë evropiane, dhe që prej atëherë, çdo vit dëgjojmë të njëjtën histori, mundësit tanë janë të gatshëm për medalje.

Por realiteti është i hidhur – nuk kemi asgjë, përveç zhgënjimeve që përsëriten vit pas viti. A ka ardhur koha të ndalojmë me justifikimet dhe të marrim përgjegjësi?

Edhe sa vite do të duhet të presim që të paktën një mundës shqiptar apo maqedonas i lindur këtu, të kthehet me medalje?
Nuk duhet të jetë medalje e artë – mund të jetë edhe medalje bronzi – vetëm që ta shohim duke u ngjitur në podium.

Më lejoni t’ju kujtoj shkurtimisht historinë time sportive në Kampionatin Evropian për Seniorë:

1982, Varna – isha 17 vjeç kur mora pjesë për herë të parë dhe fitova medaljen e parë të bronztë në kategorinë 48 kg.

1983, Budapest – medalje argjendi, hera e parë në finale.

1984, Jönköping – titull evropian dhe medalje ari në moshën 19-vjeçare.

1985, Leipzig – një tjetër finale; humba në sekondat e fundit, medalje argjendi.

1986, Athinë – finalja e pestë radhazi, sërish medalje argjendi.

1988 dhe 1989 – medalje bronzi.

1990, Poznan – kampion evropian për herë të dytë; u shpalla mundësi më i mirë në Evropë me pesë fitore pa humbur asnjë pikë.

Sot, në moshën 60-vjeçare, pyes veten, si ishte e mundur atëherë, në kushte kaq të vështira, që unë të isha mes kampionëve të fuqishëm rusë, bullgarë e turq dhe asave nga e gjithë Evropa?

Mos harroni, ju të rinjtë: gjithçka është e mundur në këtë botë kur je i ri, mund të bësh mrekulli. Thjesht duhet të kesh vullnet, të stërvitesh fort, të mendosh për fitoren dhe të mos mendosh se mjafton vetëm të marrësh pjesë në garat evropiane”, ka shkruar Tërstena, kampion olimpik dhe dy herë kampion i Evropës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat