Kur flamuri të bashkon

Amerika

Kur flamuri të bashkon

Nga: Ramazan Çeka Më: 22 dhjetor 2021 Në ora: 18:44
Ramazan Çeka

Si asnjëherë tjetër ky udhëtim drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës kishte në fokus krajanët, emigrantë të rinj e të vjetër të ardhur nga Kraja, një krahinë që shtrihet në jugperëndim të liqenit të Shkodrës dhe që sot gjindet në territorin e Malit të zi.

Për mua ishte një gëzim i dyfishtë, sepse përveç respektit për ta, kisha edhe një gëzim të papërshkruar, sikur të isha i ftuar në një dasëm familjare, pasi vendorigjina ime është nga Kraja, pra me shumë prej atyre miqve më lidhte edhe geni familjar.

Përtej peripecive të udhëtimit për shkak të kushteve të imponuara nga situata pandemike sërish do ta quaj udhëtimin më komod edhe pse udhëtoja për punë e me një përgjegjësi të dyfishtë, pasi me mua ishte edhe "Mjeshtri i Madh" Engjell Ndocaj me të cilin do realizonim një dokumentar televiziv me krajanët e për krajanët që punojnë e jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si dy të përhumbur në mendimet tona e fjalë pak, për gjatë gjithë atij udhëtimi, mendjen e kishim te puna me përgjegjësi që na priste në Amerikë.

Pas shumë orësh udhëtimi mbi oqean mbërritëm në destinacion, ku na priste Mirsad Kovaçi, kryetari i Shoqatës "Kraja" nga i cili kishim marrë edhe ftesat. Për t'u çlodhur pak nga udhëtimi u nisëm menjëherë drejt hotelit "Springhill Suites By Marriott", i cili për hir të vërtetës për gjatë gjithë atij qëndrimi u bë edhe rezidenca jonë zyrtare, pasi të gjithë miqtë dhe bashkëpuntorët tanë vinin e na takonin aty.

Ishte pikërisht Mirsadi ai që ishte kujdesur jo vetëm për akomodimin, por edhe për gjithçka të nevojshme që lidhej me udhëtimin, punën dhe rehatinë tonë, madje për gjatë gjithë atyre ditëve Mirsadi u bë edhe shoqëruesi dhe ndihmësi ynë kryesor, duke na qëndruar gjatë gjithë kohës në dispozicion, që nga mbërritja, agjenda e punës, kujdesi i veçantë për mbarvajtjen e xhirimeve filmike, duke na lënë në dispozicion edhe kameramanin e talentuar Ardit Boli, por edhe nevojat tona, siç ishte edhe një vizitë mjekësore për mua tek Dr.Bahri Ceka, e cila u mundësua nga miku im z.Naser Nika dhe për të cilën i jam më shumë se mirnjohës.

Falë përkushtimit të Mirsadit arritëm të realizonim një sërë takimesh me doktorë, profesorë, menaxherë, avokatë, biznesmenë, aktivistë e këngëtarë të njohur në Amerikë, ku shumë prej të cilëve erdhën edhe nga vënde të largëta.

tij na u lehtësua puna me xhirimet dhe intervistat e planifikuara në skenar nga ne dhe ajo që u bë kryefjalë e atyre ditëve dhe xhirimeve tona ishte mbrëmja festive e organizuar nga Shoqata "Ana e Malit" dhe Shoqata "Kraja" në nder të Festës së Flamurit dhe Pavarsisë së Shqipërisë me 28 nëntor 2021.

Gjithçka ishte veshur kuq e zi dhe frymonte shqip atë natë. Këngëtarë e valltarë të veshur me veshjet kombëtare, por edhe pjesëmarrës e të ftuar të të gjitha moshave e pasuruan akoma më shumë atmosferen me patriotizëm e frymë kombëtare sa të dukej se një copëz Shqipëri ishte zhvendosur atje në Amerikë.

E gjithë atmosfera na bëri edhe më optimistë në realizimin e dokumentarit të pasur kulturor të nisur pak kohë më parë në Krajë e të përfunduar në Amerikë, në të cilin do paqyroheshin e arkivoheshin kujtime, mbresa, kontribute dhe dinjitet njerzor e që do ruhen në breza, çka më bëri edhe më krenar për krajanët e mi edhe për faktin se ky dokumentar më ishte besuar mua.

Si kurrë më parë jam ndjerë i vlerësuar dhe i nderuar për këtë mundësi, pasi arrita të depërtoj akoma më shumë në rrënjët e mia të lashta sa vetë vargmalet e Krajës e Rumija legjendare, të lavdishme si rrezet e arta të lindjes së diellit që përthyhen në Liqenin e Shkodrës dhe i falin shkëlqim atij vendi me të cilin për shekuj dhe breza me rradhë jemi ndjerë dhe do të ndjehemi krenar.

Ky dokumentar që lidhej me një punë madhore me shumë përgjegjësi, në pasqyrimin e ngjarjeve reale dhe personazheve dinjitozë iu besua atyre që kanë po kaq vlera, për çka iu shpreh me mirënjohje të sinqertë edhe në emër të shoqatës "Kraja" Kryetari i saj z. Mirsad Kovaçi, regjizorit z. Engjell Ndocaj, "Mjeshtër i Madh" si dhe operatorit të përkryer z. Ben Tafili për bashkëpunimin dhe përkushtimin e tyre për gjatë gjithë këtyre muajve.

Transmetimi i këtij dokumentari në RTSH do jetë padyshim një pasuri e vyer në pasqyrimin e vlerave mbarë kombëtare me të cilat të gjithë krenohemi se jemi shqiptar.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat