10 rregulla të arta të ripyllëzimit

Bota

10 rregulla të arta të ripyllëzimit

Më: 28 shkurt 2021 Në ora: 19:40
Foto ilustrim

Shkencëtarët kanë vendosur 10 rregulla të arta për restaurimin e pyjeve të botës. Ata paralajmërojnë se mbjellja e pemëve në vend të gabuar ose në mënyrë të gabuar mund të sjellë më shumë dëme sesa dobi.

Një studim i ri ka nxjerrë rekomandime për ripyllëzimin e zonave të shkatërruara. 10 rregullat e arta që propozojnë shkencëtarë janë: mbrojtja së pari e pyjeve ekzistuese; puna me komunitetet lokale; rikuperimi në maksimum i biodiversitetit; zgjedhja e zonës së duhur për ripyllëzim; përdorimi i restaurimit natyror të pyjeve kudo që është e mundur; zgjedhja e llojeve të pemëve që rrit biodiversitetin; përdorimi i llojeve rezistente të pemëve që mund të përshtaten me klimën në ndryshim; planifikimi i detajuar i projektit të ripyllëzimit; konsultimi i burimeve ekzistuese shkencore dhe lokale të njohurive dhe kryerja e provave në shkallë të vogël së pari, për të siguruar nxjerrjen e të ardhurave nga pyjet e rigjeneruara.

Mbjellja e pemëve është një zgjidhje e shkëlqyer për të trajtuar ndryshimin e klimës dhe për të mbrojtur biodiversitetin, por pema e gabuar në vendin e gabuar mund të bëjë më shumë dëm sesa dobi, thonë ekspertët.

"Mbjellja e një peme është gjë e mirë dhe gjëja e fundit që duam të bëjmë është që njerëzit të mendojnë se mbjellja e një peme nuk është një gjë e mirë. Por e gjitha ka të bëjë me mbjelljen e pemës së duhur në vendin e duhur dhe kudo që është e mundur, udhëhequr nga natyra, të përpiqemi sa më shumë të jetë e mundur për të rivendosur të gjitha përfitimet e pyjeve natyrore që kemi humbur duke prerë aq shumë prej tyre", thotë Kate Hardwick, shkencëtare me Kopshtet Mbretërore Botanike.

Mund të duhen dekada të tëra që pyjet të rriten përsëri si mjedise për kafshët apo për të thithur të njëjtën sasi të karbonit, aftësi që zhduket kur pemët priten dhe digjen.

Pyjet janë një nga vijat e para të mbrojtjes së planetit ndaj ndryshimit të klimës, duke thithur sa një të katërtën e emetimeve të karbonit të shkaktuar çdo vit nga aktiviteti njerëzor.

Megjithatë ndërsa hapësira pyjore është tkurrur, të njëjtën gjë ka pësuar edhe kapaciteti tashmë i mbingarkuar i Tokës për të përballuar emetimet e karbonit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat