Sa e varur është Evropa nga gazi rus?

Evropë

Sa e varur është Evropa nga gazi rus?

Më: 25 janar 2022 Në ora: 17:34
Foto ilustrim

Ndërsa kërcënimi i një pushtimi rus të Ukrainës është shumë real, një nga levat që ka në dispozicion Moska,është eksporti i gazit të saj natyror drejt Evropës. Bashkimi Evropian vazhdon që të mbetet në një masë të madhe i ndërvarur nga këto eksporte, edhe pse tensionet midis Rusisë dhe Perëndimit janë rritur ndjeshëm vitet e fundit.

Ndërsa bota po përballet këtë dimër me një mungesë globale të gazit natyror, vendet evropiane janë veçanërisht të varura nga gazi rus, me përjashtim thuajse vetëm të Britanisë së Madhe. Sipas të dhënave nga EUROSTAT, agjencia e statistikave të BE-së, blloku importoi në vitin 2019 rreth 35 për qind të gazit të tij natyror nga Rusia. Ky është viti i fundit për të cilin ka të dhëna gjithëpërfshirëse.

Nga vendet më të mëdha evropiane, Gjermania merr gati gjysmën e gazit të saj nga Rusia; Italia rreth 40 për qind; Franca 20 për qind. Britania e Madhe blen më pak gaz nga Rusia, si pjesë e importeve të saj totale, sa gati çdo vend tjetër evropian:vetëm 9.7 për qind.

Disa vende të BE-së në Evropën Lindore dhe Qendrore, përfshirë Sllovakinë, Letoninë dhe Finlandën, importojnë pothuajse 100 për qind të gazit të tyre nga Rusia. Edhe pse tensionet midis Rusisë dhe BE-së u rritën pas pushtimit që Moska i bëri gadishullit jugor të Krimesë

në Ukrainë në vitin 2014, varësia e bllokut ndaj gazit që importonte nga rivali i tij gjeopolitik nuk u dobësua.

Përkundrazi, importet u rritën:nga rreth 115 miliardë m³ në vitin 2014, në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave me 180 miliardë m³ gaz në vitin 2019. Sipas EUROSTAT, Mbretëria e Bashkuar mori dërgesën e saj të parë të gazit rus vetëm në vitin 2017. Gazsjellësi “Nord Stream 2” midis Rusisë dhe Gjermanisë, që është pothuajse i përfunduar, do të jetë në gjendje të transportojë 55 miliardë m³ gaz shtesë në vit kur të nisë nga puna.

Kancelari i ri i Gjermanisë, Olaf Sholc, la të kuptohet këtë javë se në rastin e një pushtimi rus,ai mund të jetë i përgatitur për të vendosur sanksione mbi projektin. “Është e qartë se do të ketë një kosto të lartë, dhe kjo do të duhet të diskutohet nëse ka një ndërhyrje ushtarake kundër Ukrainës”- deklaroi Sholc.

Fakti që BE është më e varur se kurrë nga gazi rus, mund të bazohet në disa faktorë. Së pari gazi është një lëndë djegëse fosile më e pastër se sa qymyri, nga i cili shumë vende evropiane po heqin gradualisht dorë.

Ndërsa Evropa lëviz për të de-karbonizuar prodhimin e saj të energjisë, shumë ekspertë të energjisë e shohin gazin natyror si një “karburant tranzit”, që mund të shërbejë si burim energjie ndërkohë që po zhvillohen alternativa me zero emetime të karbonit në atmosferë.

Vitin e kaluar, një draft-version i taksonomisë së energjisë së gjelbër të BE-së, një listë të investimeve energjetike, të cilat Brukseli i konsideron të qëndrueshme, deklaronte në mënyrë të diskutueshme se gazi natyror dhe projektet bërthamore ndonjëherë duhet të konsiderohen si të gjelbra.

Përveç kësaj, disa vende që planifikojnë të heqin dorë nga energjia bërthamore, kanë vazhduar të mbështeten tek gazi natyror për të prodhuar energji elektrike. Një pjesë e mungesës, është kompensuar nga burimet e rinovueshme.

Por në shumë raste përdorimi i gazit natyror ka qenë i qëndrueshëm ose është rritur pak gjatë dekadës së fundit. Për shembull, në Gjermani gazi natyror përbënte 90.000 gigavat orë të prodhimit energjitik në vitin 2010, duke u rritur në 99.500 gigavat në vitin 2020, sipas të  dhënave nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, edhe pse shifra për energjinë bërthamore u përgjysmuan.

Mbështetja e vazhdueshme e BE-së tek gazi natyror rus, mund të jetë një dobësi serioze për bllokun, nëse do të vendoste sanksione të mëtejshme ndaj Moskës, në rastin e një pushtimit të Ukrainës. Çmimi i gazit është rritur tashmë gjatë muajve të fundit, duke goditur rëndë konsumatorët.

Një rritje e mëtejshme e çmimit, e shkaktuar ose nga sanksionet e BE-së, ose nga mbyllja e rubinetit të gazit nga Rusia, do të ishte një lajm i padëshiruar për familjet, të cilat tashmë po përballen me një inflacion në nivele rekord dhe një krizë të kostos së jetesës.

Nga Ido Vock & Nicu Calcea

“New Statesman”

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat