Rrëfehet Hamilton

Formula 1

Rrëfehet Hamilton

Më: 24 dhjetor 2022 Në ora: 12:37
Rrëfehet Hamilton

Kontrata e Luis Hamiltonit me Mercedesin skadon në fund të sezonit të ardhshëm, por motivimi dhe objektivat e shtatë herë kampionit të botës në Formula 1 shkojnë përtej 2023-shit. Konfirmimi ka ardhur nga vetë britaniku, i cili mbush 38 vjeç më 7 janar. Në një intervistë të dhënë për “Bild”, Hamilton pranon nga njëra anë se Formula 1 nuk duhet parë si qendra e universit në këtë pikë të karrierës, por nga ana tjetër shpreh gjithashtu dëshirën e madhe për të imituar rivalin Niko Rozberg duke shpresuar në një tërheqje si kampion bote.

SI NIKO ROZBERG – Gjermani, i biri i një kampioni, u largua nga Formula 1 në vitin 2016 si fitues pas një beteje të ashpër pikërisht ndaj Hamiltonit. Luis e pranon se një tërheqje e tille do t’i pëlqente edhe atij: “Mendoj që ta mbyllësh si kampion bote është ëndrra e çdo sportisti dhe nuk bën përjashtim as për mua”, shprehet piloti.

Megjithatë vendimtare do të jetë kontrata e re me Mercedesin, në lidhje me të cilën britaniku shprehet: “Ende nuk kemi nisur të bisedojmë. Deri më tani nuk kemi pasur kohë, duke qenë se jemi gjithnjë në lëvizje dhe udhëtime”.

Por Hamilton nuk e mohon se ka disa dyshime: “Ka raste kur zgjohem dhe kam ndjesinë për të mos vazhduar më. Ka raste të tjera kur mendoj të bëj gjëra të tjera për pjesën e mbetur të jetës. Megjithatë mendoj se do të vazhdoj që të jem pjesë e këtij ambienti”.

PRIORITETET – Hamilton nuk e mohon se prej disa kohësh raporti i tij me sportin ka pësuar një ndryshim të lehtë: “Për mua motorsporti nuk është gjëja më e rëndësishme. Ka qenë ndoshta kur isha fëmijë dhe me shumë mundësi edhe kur jam futur në F1, por që kur kam mbushur të 30-at, kam kuptuar se është e rëndësishme të kesh kujtime me familjen dhe me miqtë”.

Kështu duket se britaniku ka prioritete të tjera: “Është pikërisht kjo gjëja më kryesore për mua, për të krijuar ato moment që mbeten gjithnjë me ty”.

Megjithatë kjo mënyrë të menduari dhe të jetuari nuk e ka kondicionuar rendimentin e tij në pistë, me përjashtim të sezonit të fundit, një vit negativ si 2022-shi, të cilin Hamilton kërkon ta hedhë pas krahëve për t’u rikthyer si protagonist në kampionatin e 2023-shit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat