Teuta godet

Futboll

Teuta godet

Më: 29 janar 2022 Në ora: 11:38
Teuta godet

Jahmir Hyka rikthehet në Superiore. Fantazisti 33-vjeçar që ka veshur edhe fanellën e Kombëtares Shqiptare, ka vendosur t’i bashkohet Teutës dhe do të jetë nën urdhrat e Renato Arapit deri në fund te sezonit.

Hyka vjen si lojtar i lirë, pasi që prej verës së kaluar ka qenë pa ekip, ndërsa për herë të fundit ka zbritur në fushë me klubin kinez të Guizhou në ligën e parë, thuajse 15 muaj më parë, ndaj mbetet për t’u parē forma e tij.

Fantazisti kryeqytetas rikthehet në Superiore pas 11 vitesh, pasi për herë të fundit ka veshur fanellën e Tiranës në vitin 2011, ndërsa tani rikthehet të përfaqësojë bregdetarët.

Jahmir Hyka ka një karrierë të pasur, pasi ka luajtur për klube si Lucerna, Panionios, Maccani Netanya dhe San Jose Earthquakes, teksa numëron edhe 47 ndeshje me fanellën e Kombëtares Shqiptare.

Me Hykën që pritet të marrë vendin e Kallakut pas sulmuesve, Teuta kompleton organikën, teksa tani i takon trajnerit Renato Arapi të nxjerrë në pah një tjetër fytyrë të kampionëve në fuqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat