Goleadorët e finaleve të Botërorëve

Futboll

Goleadorët e finaleve të Botërorëve

Më: 16 dhjetor 2022 Në ora: 18:40
Ronaldo

Dyzet e dy klube të ndryshe nga 12 kombësi të ndryshme të botës janë ato që mund të mburren, kur bëhet fjalë për finalen e Kupës së Botës dhe faktit që golashënues ka qenë një futbollist në kontratë me ta.

Se cili do të ketë fatin sivjet kjo duhet parë, madje PSG-ja duket ai që ka më shumë shanse për t’iu shtuar listës, duke qenë se në finale janë Lionel Mesi dhe Kilië Mbape, dy numrat 10 ku varen edhe shpresat e mëdha dhe fatet e të dyja skuadrave për fitoren finale. Gjithsesi, në pritje të së dielës dhe për të parë se cili apo cilët do të jenë golashënuesit dhe cili klub do t’i shtohet listës së artë, ata që mund të mburren deri tani se kanë bërë më shumë se kushdo tjetër historinë është Interi. Zikaltrit e Milanos kanë “shënuar” 8 gola në finalen e kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik të globit, të ndarë në 7 goleadorë të ndryshëm.

I pari dhe më i hershmi është Boninsenja në finalen e vitit 1970, kur Italia pa që të mundej nga Brazili. Gjithsesi, në 1982 do të festonte Interi dhe Italia, duke qenë se Altobeli lë firmën në suksesin 3-1 ndaj Gjermanisë Perëndimore. Historia do të vazhdojë në 1986-ën me Rumenigen që lë emrin e tij në humbjen 3-2 ndaj Argjentinës, por Brehme do të dhurojë një tjetër festë, në Botërorin italian të vitit 1990, sërish ndaj Argjentinës. Por historia zikaltër do të vazhdojë me festë me Ronaldo Nazario de Limën, “Fenomenin” që me një dopietë do të shtrijë në tapet Gjermaninë.

Mbrojtësi Marko Materaci gjithashtu do të triumfonte në 2006-ën ndaj Francës, ndërsa në edicionin e kaluar, në Rusi, Ivan Perishiç do të realizonte sa për statistikë në finalen e fituar nga Franca.

Në vend të dytë të kësaj renditjeje si për ironi të fatit qëndrojnë rivalët e përjetshëm të Interit, Juventusi, me 6 gola në finalet e mëdha, që pse jo sivjet ka më shumë shanse se Interi që të shtojë numrin e golave, pasi ka tre lojtarë që luajnë të ndarë në të dyja kampet:

Rabio për Francën dhe Di Maria e Paredes për Argjentinës, ndonëse që të tre nuk është se shquhen për “bomberë”. Për sa i përket kësaj renditjeje, podiumin e mbyllin brazilianët e Santosit, të cilët falë Pelesë me tre gola në dy Botërorë të ndryshëm, por edhe Albertos e Zito numërojnë 5 gola në finalet e Kupës së Botës. Ndërkohë, në tabelë janë të specifikuar të gjithë goleadorët e tjerë në 21 edicionet e mëparshme të Botërorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat