Sytë e një kombi janë drejtuar nga Toronto, ku Kanadaja do të zhvillojë ndeshjen e saj të parë në Kupën e Botës 2026 si bashkë-organizatore e turneut. Kanadaja sfidon në orën 21:00 Bosnje Hercegovinën, që deri në këtë pikë shkruajti një faqe të re në histori, duke lënë jashtë për herë të tretë radhazi Italinë.
Kjo është pjesëmarrja e tretë në histori për kanadezët dhe e dyta radhazi pas paraqitjes në Katar 2022. Kanadaja kërkon të lërë pas kujtimet e hidhura nga dy eksperiencat e mëparshme në finalet e Kupës së Botës.
Në gjashtë ndeshje të zhvilluara në Meksikë 1986 dhe Katar 2022, skuadra ka pësuar po aq humbje, duke realizuar vetëm dy gola dhe duke pranuar mesatarisht dy gola për takim. Vetëm El Salvadori ka regjistruar një bilanc të ngjashëm me humbje në të gjitha ndeshjet e luajtura në finalet e Botërorit.
Megjithatë, forma e shkëlqyer në shtëpi u jep shpresë vendasve. Kanadaja ka regjistruar 18 fitore, nëntë barazime dhe vetëm një humbje në ndeshjet e zhvilluara në Toronto, statistikë që mund të luajë rol të rëndësishëm në përpjekjen për të marrë rezultatet e para pozitive në një Kupë Bote.
Nga ana tjetër, Bosnja dhe Hercegovina rikthehet në skenën më të madhe të futbollit botëror për herë të dytë, pas debutimit në Brazil 2014, ku u eliminua në fazën e grupeve me një fitore dhe dy humbje. Rruga drejt Botërorit 2026 nuk ishte e lehtë për boshnjakët.
Edhe pse humbën vetëm një nga tetë ndeshjet e para kualifikuese, ata u detyruan të kalonin përmes play-off-it, ku eliminuan Uellsin dhe eliminoi në mënyrë surprizë, Italinë për të siguruar biletën drejt Amerikës së Veriut.
Skuadra e drejtuar nga Sergej Barbarez mbërrin në turne me moral të lartë, pasi ka shënuar në të dhjetë ndeshjet e fundit dhe numëron tetë takime radhazi pa humbje.
Sfida kryesore për trajnerin boshnjak do të jetë thyerja e serisë prej pesë barazimesh radhazi në kohën e rregullt, ndërsa synon të udhëheqë ekipin drejt një rezultati pozitiv ndaj vendasve.
Përballja në Toronto pritet të jetë një test i rëndësishëm për të dyja kombëtaret, me Kanadanë që kërkon të shkruajë histori para tifozëve të saj dhe Bosnjën që synon të nisë me këmbën e mbarë aventurën e saj të dytë në Kupën e Botës.