Joyce-iynë!

Kultura

Joyce-iynë!

Nga: Bajram Sefaj Më: 3 mars 2021 Në ora: 12:59
Bajram Sefaj

Vazhdoj edhe për një çikë, bashkëbisedimin me Ty Mbretëreshe, se u kënaqa (“tuj u kënaqë”!), kur të kam xhan!

Ndërhyrje në paranteza (Hej, më shkruan Ajo: edhe unë ty të kam xhan, dhe vazhdon: kujdes shëndetin! Përdori sa më mirë mundësitë që të jep ai vend aty. Këtej është katastrofë gjithçka. Kam shumë trishtim për rrethanat në të cilat duhet të zgjidh problemet e shëndetit, për çdo ditë për prindërit e mi etj. Përqafime!).

Ndërrojmë temë, e Ndritshmja ime!

Sa herë që më ka rastisur të lexoj libër, proze a poezie, jo të rëndomtë, të veçantë, asi që, sikur kanë pikur nga qielli, si, bie fjala, romanin me titull “Uliksi”, të shkrimtarit irlandez, J. Joyce, apo cilëndo vepër letrare të shkrimtarit shqiptar A.-C. Kyqyku., (jeton dhe krijon në Bukureshtin e V. Eftimiut tonë!), jam gëzuar. Tash vjen Ti, një befasi e pashoqe dhe ndjellëse shprese e letrave shqipe!

Nga ana tjetër, shtrohet pyetja: pse lexuesit shqiptarë, kosovarë, në të parin rend, janë thyer e drobitur, janë bërë copë e grimë, badihava, pas J. Joyce-it, pas Uliksit dhe veprave të tjera të tij, më kot paskëshin vrapuar pas tij, kur e paskan pasur aq afër Joyc-in e tyre en person, R. M. Shalën dhe veprën e tij monumentale letrare, romanin voluminoz “ANONIM – Profan Wor(l)d”, me 457 faqet e dendura të tij. Botues neokultura, botimi i parë, Prishtinë, 2015.

Ja tek e keni. Lexojeni. Binduni!

Fletët e këtij libri mbështjellin shumë gurë margaritarësh. E për vlerën e gurëve të çmuar, nuk merr bojë të shkruhet dosido.

Ju, dhe ata krijues të mirë si ju, më bëni të palumtur, të mjerë më bëni, madje më ngushtoni dhe më çoni në zgrip pesimizmi, saqë, shpesh më ikën mendja, kurrë më të mos marr penë në dorë!

Të mos shkruaj kurrë, asgjë të mos shkruaj!

Sa herë lexoj diçka të bukur, origjinale, të freskët dhe të veçantë, Zonjë e nderuar, po aq herë përjetoj zhgënjim të madh: Pse edhe vetë nuk i takoj atij qarku, asaj lagjeje, atij vargu.

Shumë herë mendoj e reflektoj, madje, se pas një libri aq të mirë, sikurse është, bie fjala, romani “Casa – Casino”, nuk ka kurrfarë kuptimi të shkruhet më roman, ose, së paku, kjo punë duhet të pushojë për një kohë të gjatë, për aq kohë sa atje, në horizont, të shfaqet ndonjë vepër e re, letrare, në këtë rast.

Jo, kurrgjë nuk ndodh.

Sivëllezërit e mi e futin kryet nën sini. Bëhen sikur s’kanë parë, as kanë dëgjuar asgjë!

Bëhen shurdhmemecë!

I fusin veshët në lesh. Të patrazuar, vazhdojnë të lexojnë e të shkruajnë turli-turli librash.

Nënshkruaj dhe evidencoj, në entin a institutin gjegjës e deponoj dhe e regjistroj, se ata që nuk dinë hiç të shkruajnë, shkruajnë shumë, tepër shumë, ata që dinë të shkruajnë mirë, shkruajnë pak e më rrallë. Me grat shkruajnë. Ata që dinë të shkruajnë mirë, ose nuk shkruajnë fare, ose shkruajnë rrallë e për mall!

E, kur shkruajnë, dridhet toka!

Shembet bota!

Opinioni bëhet lëmsh. Botuesit janë në panik e në luftë për primat!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat