Fajtori

Kultura

Fajtori

Nga: Biser Mehmeti Më: 13 prill 2021 Në ora: 17:18
Ilustrim

Kur vjeshta filloi të pikturonte një peizazh të zymtë, atëherë kur mendoja se ishte çasti më i volitshëm për t’u çlodhur nga një rrugë e gjatë, u përhap fjala si rrufe se do të shkonim në mal për disa ditë ose për disa vjet. Pasi që apriori kuturisa të mos lëvizja nga shtëpia  as që dëshiroja të dija shkakun përse bëhej një udhëtim kaq i gjatë, madje në një kohë me mot të ftohtë e me shi. Edhe po  të mbetja fillikat në shtëpi nuk e kishte ndërmend të kaloja nëpër ato rrugë të rrëpirat, nga të cilat gjithnjë çuditërisht jam frikësuar. Disa ditë në tërë shtëpinë ndjehej një atmosferë ngazëlluese, e cila fare lehtë   hetohej në fytyrat e të gjithëve. Gjatë kësaj kohe në imazh gjithnjë më faniteshin ato ditë të mbushura me vetmi, me të cilat do të ballafaqohesha shumë shpejt. Nuk kisha ide si ta mbysja atë vetmi të çartur, e cila më vështronte përtej një errësirës së tejdukshme si të ishte një bishë e egër. Sapo ato gjëra të neveritshme i hidhja në humnerën e errët të mendjes, një dorë e padukshme tinëzisht i hidhte mbi pasqyrën e vagëlluar të mendjes së dërrmuar...

-Edhe ti duhet të vish me ne, madje të vish edhe  nëse nuk e dëshiron një gjë të këtillë! - më tha një zë me do tinguj të akullt. Ai zë më ngriu të tërin e pastaj më mbërtheu për shtrati. Mendimet filluan të luftonin në mes veti me një vrazhdësi e egërsi të madhe. Ndjenjat rebele grindeshin pa pra, duke e kafshuar njëra-tjetrën pamëshirshëm. Koka kishte zënë të më pëlciste nga një dhembje e  pazakonshme. Më bëhej sikur së shpejti do të shndërrohesha në torzo. I shëmbëlleja një njeriut që ka humbur çdo gjë, madje edhe  kohën...

- O Bac, dëgjomë vetëm një herë,- i thashë me një zë të përvajshëm, i cili sikur buronte nga fundi i zemrës së pëlcitur,- dëgjon vetëm pak se...

- Vendimi është i prerë! Bëhu gati se nesër në agim do të nisemi!- dhe pasi i la fjalët brenda si të ishin kufoma të pavarrosura e përplasi derën i xhindosur me sa fuqi që kishte. Pastaj doli jashtë i tërbuar si një  bishë e egër...Disa çaste qëndrova indiferent sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Të gjitha mendimet më ishin ngurtësuar. U mundova t’i  mposhtja të gjitha ndjenja ogurzeza që sorollateshin si korba nëpër kokën e rënduar. Me duart e mia e varrosa durimin, shpresën dhe lumturinë. Me këmbët që mezi më mbanin i rrafshova tri varre, të cilat gjithnjë vinin pas meje. Isha kredhur në një humnerë të mbushur ankth, i cili gjithnjë ushqehej me jetën time. Më nuk dija a jetoja apo vetëm shtiresha se jetoja... Gjatë tërë natës me sy të zgurdulluar vështroja do gjëra pa trajtë e pa formë, të cilat sorollateshin rreth trupit tim të ngurosur. Një gur i rëndë, i cili kishte lëshuar rrënjë të thella në zemrën time rritej pa pra. Errësira hynte në qepallat e mia e pastaj gërmonte në thellësinë e tyre. Dëshiroja të dilja nga lëkura e pastaj të tretesha në errësirën e natës. Mundohesha t’i frenoja sfilitjet, por ato gjithnjë mbinin nëpër fushën e jetës sime si të ishin bimë halore. ..Kjo është nata e fundit, më thoshte një zë i largët. Nesër do të varrosem në një vend të largët. Korbat do të ma hapin varrin... Më bëhej se nata nuk do të kishte mëngjes fare.

Kur më në fund erdhi mëngjesi, një mëngjes i zymtë, me një acar të çuditshëm, u nisëm për në mal. Rruga e ngushtë  ishte e mbushur me baltë dhe heshtje. Më bëhej sikur po shkoja për ta varrosur vetveten që kishte vdekur gabimisht. Me sytë e mendjes e përfytyroja çastin kur kortezhi, të cilit i printe njeriu që më kishte sjellë padashur në jetë e pastaj ishte penduar që e kishte bërë një gjë të këtillë, ndalej pranë varrit të hapur. Pastaj ngadalë brenda lëshohej trupi im që ende nuk kishte vdekur tërësisht... Çapitesha me hapa të rëndë. Mendjen e kisha të turbulluar, kurse në kokë më kishte hyrë një mjegull e dendur që nuk më lente të shihja asgjë.       

 Dielli më dukej sikur ishte lëshuar mbi kokën time dhe gjithnjë më kërruste. Koha tashmë ishte ngurtësuar. Nëna qëndronte pranë meje dhe vazhdimisht dëneste nga një dëshpërim i thellë. Mbi fytyrën e saj të zverdhur kishte rënë një mallëngjim i egër, të cilin s’mund ta mposhtte. Ajo i shëmbëllente një hënës së përgjysmuar që ka vdekur në mëngjes...

 -Ah, si nuk vdiq ky i mallkuar, por jetoi që të të shkatërrojë jetën tënde se jeta ime s’më dhëmbësit fare!- thoshte me një zë që më shumë ishte vaj e që buronte nga thellësia e zemrës së shkrumbuar.  Nuk e dija a zvarritesha drejt zhdukjes apo qëndroja në vend duke u sjellë në një rreth vicioz. Ishte një përzierje e neveritshmen e ndjenjave, të cilat humbnin trajtën reale dhe merrnin trajtë joreale. Objektet që i shihja më ngjanin në kufoma, të cilat çuditërisht më vështronin me sy të verbër. Në mesin e tyre e shihja edhe kufomën time, të cilën e hanin korbat dhe krimbat. Dëshiroja ta shkatërroja atë imazh të plogështi  që ishte tiposur në një skaj të  mendjes. Mirëpo, forca më ishte shterur si të ishte kandil që mbetet pa gaz. Isha shndërruar në një mekanizëm që vihet në veprim nga forcat e jashtme...

Nuk e pashë fare se nga doli një mbrëmje e plagosur që zvarritej me këmbë të thyera. Ajo e lëshua mbi hapësirë së bashku me do krrokama të thekshme e me do ulërima të zgjatura. Vetëm atëherë nga qepallat e ndryshkura i largova merimangat dhe vërejta se kishim arritur në një mal me lisa të mëdhenj, të cilëve nuk u shihej fundi. U mundova të shquaja dikë e diçka, mirëpo  çdo kund shtrihej një vetmi e qartur, e cila më mbështillej rreth qafës si të ishte një gjarpër i madh. Isha kredhur në rrjetën e një frikës së paanë, në të cilën ngadalë kisha zënë të mbytesha. Dëshiroja ta thërrisja nënën të më nxjerrte nga ajo gjendje e mundimshme. Mirëpo zëri nuk më formësohej dot. Nuk e dija çka kishte ndodhur me mua as me të tjetrët, të cilin ishin tretur pa gjurmë. Mendime të kobshme më silleshin vërdallë nëpër kokën e rënduar. Nuk dija ç’të bëja me vetveten as me kohën që më vështronte përtej errësirës. E vetmja gjë që duhej ta bëja ishte që të mendoja për gjëra të lumtura. Mirëpo, mendimet mezi arrija t’i krijoja vetëm me gjysmë forme. Nga ato mendime të përgjysmuara dolën tri hije të bardha, të cilat vallëzonin rreth trupit tim të shtrirë pranë një humnere të thellë. Nga një largësi e papërcaktuar jehonin do ulërima ujqish të uritur, të cilët kërkonin trupin tim për ta ngrënë. 

Mundohesha  të ngritesha nga vendi, por një forcë e padukshme më mbante të mbërthyer. Më dukej sikur isha i gozhduar... Stinët filluan të ndërroheshin njëra pas tjetrës me shpejtësi të rrufeshme. Koha rrëshqiste si të ishte një lumë i rrëmbyeshëm, kurse unë qëndroja larg saj. Qëndroja gjysmë i fjetur e gjysmë i zgjuar. Çdo gjë që më rrethonte  ndryshonte trajtën dhe formën... Një ditë ose një natë ( pasi ato vështirë arrija t’i dalloja) arrita të ngritëm nga vendi si të ngritesha nga  varri. Fillova të sorollatem nëpër atë hapësirë të shngjyrosur. Zvarritesha tërë kohën e në fund arrija në fillim të shtegut. Dëshpërimi me një shpatë të mprehtë në dorë ma copëtonte zemrën. Gjithnjë e më tepër bindesha se nuk mund ta gjeja rrugën që më nxjerrte nga ai mal i madh, në të cilin jetoja me vetminë time të çartur. Shpesh binte shi dhe i lagte ato pak gjëra që gjendeshin rreth meje. Gjithnjë mbisundonte një stinë e ftohtë, e cila e sjellte një mjegull të zezë që i gëlltiste gjërat që mungonin. Qielli dukej sikur kishte mërguar së bashku me diellin... Kushedi sa vite i treta në brendësinë e atij mali, duke mos mundur të gjej rrugën që më nxjerrte prej tij. Një ditë m’u duk sikur e gjeta shpëtimin që e kërkoja. E pashë me sy të vagëlluar njeriun që më solli pa dëshirën time në jetë e pastaj më mbylli në këtë mal të shkretë. Ai gjendej vetëm pak metra larg meje. Më vështroi me dy sy të mbushur urrejtje e mllef sikur të dëshironte të më gëlltiste. E thirra shumë herë me sa zë që  kisha. Ai përsëri më vështroi me dy sy të zgurdulluar, në thellësinë e të cilëve lodronte një urrejtje e çuditshme. Pastaj një zot e di nga u tret dhe kurrë më në jetë nuk e pashë. Më kot vazhdova ta kërkoj rrugën që më nxjerrte nga ai mal i mallkuar, në të cilin dielli gjithnjë mungonte.

“Kush është fajtor për sfilitjet e mia?” më pyeste një zë i largët në vetvete. Nuk guxoja t’i përgjigjesha. Flokët vazhdimisht më rriteshin e pastaj edhe më thinjeshin. Fytyra vazhdonte të më mplakej pa mëshirë. E unë nuk bëja tjetër veçse kërkoja rrugën që më shpinte larg atij mali të mbushur me korba e ujq të uritur...

Disa ditë para se të takohesha me trajtën e vdekjes reale, përtej mosqenies erdhi nëna, të cilën e përfytyroja të vdekur, dhe më nxori nga mali. Mirëpo mezi më njohu, ngase isha mplakur aq shumë sa që  mezi qëndroja në këmbët e mia. Kur arrita në shtëpi i gjeta do njerëz të cilët, as nuk i njihja, as nuk më njihnin...

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat