Dallgët e ëmbla të ndjeshmërisë

Kultura

Dallgët e ëmbla të ndjeshmërisë

Nga: Baki Ymeri Më: 28 korrik 2021 Në ora: 11:42
Kopertina

Diaspora e pasuron boton tonë me një shpërthim të hatashëm të shpirtit shqiptar. Në vargjet e poetëve dhe të poeteshave të mërgatës sonë, defilojnë dallgët e ëmbla të dashurisë dhe ndjeshmërisë. Poezia e Remzi Bashës është rreze dielli që shkrep në mesnatë. Vargjet e tij mbajnë aromë dashurie, historie, kulture dhe qytetarie. Poezia e tij është shpirti që prehet në prehërin e dashurisë. Vargjet e Remziut kanë erëtimën e barit të kositur, tringëllimën e gurit të mullirit, aromën e luleve të parajsës në shtratin e fjalëve. Poezia është zjarri i dritës së fshehur në fjalë. Remziu din të bindë lexuesit se fjala e tij meriton të dëgjohet me respekt, sepse prezenca e poetëve është e vlefshme në ndërtimin e një bote më të lumtur për të gjithë njerëzimin.

Pjesa dërmuese e poezive të Remzi Bashës është e rëndësishme, sepse ato përputhen me biografinë e autorit në planin patriotik dhe sentimental: Shkronjat e gjuhës shqipe/ Janë dritë e Perëndisë/ Ndriçojnë dhe pasurojnë/ Shpirtin e shqiptarisë… (Gjuha jonë). Të gjitha librat e deritanishëm të tij janë pjesë e pasurisë sonë materiale, intelektuale dhe shpirtërore, autori duke na dhënë leksione të mirëfillta për artin dhe jetën. Vargjet e Remziut shërbejnë si dritare drejt epiqendrës së vlerave të tij si poet, kurse librat e tij janë thesarë të çmuar të bibliotekave tona letrare dhe sentimentale. Esenca e këtij libri të ri, nuk është një trysni qasjesh apokaliptike që poeti i jep lexuesit, por një galaktikë imazhesh dhe zërash që tentojnë të mbajnë gjallë ndjenjën e mbijetesës së kombit, bazuar në besimin te njeriu dhe te e drejta e tij për të përjetuar një jetë të lirë, të këndshme, të bukur dhe të lumtur.

Brenda kontureve të këtyre thirrjeve për të triumfuar mbi vështirësinë dhe humbjet e mëdha që ka kaluar populli shqiptar i Kosovës para, gjatë dhe pas luftës, duket qartë se plani i kujdesshëm sipërfaqësor i vargjeve dhe mekanizmi i brendshëm konstruktiv i poetikës, të ndihmuara nga pasurimi efektiv i stilistikës gjuhësore kanë dritësuar përpjekjet e autorit për të mbetur origjinal në marrëdhëniet e tij me kohën dhe njeriun. Remzi Basha e arrin këtë lartësi duke mënjanuar nuancat abstrakte të artificialitetit në punën e tij krijuese. Duke e pasuruar peizazhin kombëtar në platformën shpirtërore dhe kombëtare, dëshmojnë se ai ka fituar afërsi të reja si me lexuesin, poashtu edhe me ndjekësit besnikë të krijimtarisë së tij.

Ky aspekt është i rëndësishëm sepse një nga karakteristikat esenciale të metamorfozës së ideve të Remziut është energjia shpirtërore që na e ofron. Kjo energji vjen tek ne si esencë intelektuale dhe shpirtërore. Pastërtia dhe energjia e ideve të tij e fuqizojnë ndjeshëm strategjinë poetike të autorit për t’I dhënë dritë magjike lexuesit dhe admiratorëve të tij: Më ë rëndë së toka më ë lëhtë së hija/ E vjetër sa lindja, e pafund sa gjithësia/ E ëmbël sa fjala, e hidhur sa pikëllimi/ E ngrohët sa falja, e fortë sa qëndrimi/ Rrënon edhe atje ku farë s’ka ndërtuar/ Ep fryte në atë vend ku rrënjë s’ka lëshuar/ E ndrit errësirën, e errëson ndriçimin/ I pasuron ëndrrat dhe ndalon ëndërrimin/ Ujitet dhe jeton edhe në shkretëtirë/ Përballon acarin dhe nuk ka të ngrirë. (Të dua fort)

Motivet e lirikave të Remzi Bashës kushtuar dashurisë, janë sa vizuale, po aq edhe të ndjeshme, duke qëndruar brenda principeve dhe dëshirave konvencionale të subjekteve: Sa mistere po fsheh nata e parë/ Si një minierë që fsheh xehërorë/ Natën e parë kush nuk e ka provuar/ Kush s’e ka ndjerë atë çast dashuror! (Nata e parë). Konceptet intelektuale të këtij simbolizmi, kanë vlera afatgjate në të mirë të proceseve letrare të autorit në rrjedhën e normave të moralit të tij personal e kombëtar. Poezitë e kësaj natyre janë përpjekje serioze për të krijuar një ambient pozitiv për të ndërtuar marrëdhënie më të qytetëruara me vetëveten dhe të tjerët.

Poeti provokon një mërgim të shpirtit në vise të panjohura dhe të njohura, në truallin fizik të jetës dhe në një kronotop poetik. Remziu në të gjitha hipostazat e poezisë së tij dëshmon një ndjeshmëri të rrallë, një përjetim të thellë të dukurive që bëhen objekt i poezisë së tij. Gjuha jonë, Të pasurit, Jam i bindur, Mos m’u zemëro, Nata e parë, Një zog cicëron, Turbullimë, Në zemër të pleqërisë, Trëndafili im i freskët, Të dua fort, Në rrugë të pashë, Kushtrim, Dola në dritare, janë disa nga lirikat më të bukura dhe më të frymëzuara të kësaj vepre të re (Dallgët e ëmbla të dashurisë). Sintaksa si kombinim gjuhësor dhe si kombinim imazhesh, është tejet plastike. Remzi Basha dëshmon se i njeh problemet e stilistikës letrare dhe se është një poet i pasur me mjete gjuhësore, se është i pajisur me aftësi të rralla për të hetuar natyrën dhe botën, por mbi të gjitha ai zotëron një aftësi kombinatore të elementëve përbërës të poezisë së tij. Poeti dëshmon guxim dhe i jep flatra fantazisë së tij duke kontrolluar njëkohësisht strukturën e poemës.

Poezia e Remzi Bashës është atraktive, mbresëlënëse dhe moderne. Autori din të peshkojë tema të reja e të vjetra, duke mos e anashkaluar poezinë e traditës, por, ashtu siç ndodh në pikturën moderne, ai merr në konsideratë objektet në hapësirë që zotërojnë të gjitha elementet e drejtpeshimit, të vëllimit, të qendrës së gravitetit, me peshën e fjalës, me thellësinë e ndjenjës etj. Që këtej mund të themi se në vargjet e tij kemi të bëjmë me një largim të çdo subjektivizmi. Përshkrimi i ndjeshmërisë nuk është vetëm një shprehje e shpirtit, por një ekzistencë organike, objektive. Poeti sjell në tekst fraza tejet plastike, në një përshkrim të bukur të një atmosfere që na çon në një terren ëndërrimtar. Vendosja e qartë e elementeve të dashurisë, krijojnë një dekor të bukur ku ndriçon jeta me lumturitë e saj

Në këtë kontekst, vargjet duken të larmishme dhe të shëndritshme. Poezia e Remzi Bashës mund të klasifikohet si lirikë erotike, kombëtare dhe historike. Frymëzimet e tij krijojnë një poezi universale dhe njerëzore. Një element përbërës i detajeve inspiruese të Remziut është ëndrra. Ëndrra nuk është një dukuri vetëm fiziologjike në tekstin poetik, por një realitet i gërshetuar me dashuri dhe ndjendshmëri. Poeti nuk ve në qendër të poezisë së tij ëndrrën, por një dimension të ri të realitetit me një ëndërrim të pandërprerë dhe të pashkëputur. Gëzuar dhe uruar për këtë libër të ri, o mëmëdhetar i frymëzuar dhe i respektuar! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat