Ansamblet

Kultura

Ansamblet

Më: 16 shtator 2021 Në ora: 13:16
Ilustrim

Ansamblet tona duhet ta shtrijnë gamën e veprimit të tyre, të organizojnë nga tri-katër seminare në vit. Po ashtu, të marrin pak edhe nga roli i institucioneve të etnologjisë, etnomuzikologjisë, historisë etj

Ansamblet e këngëve dhe valleve shqiptare janë institucione nacionale, apo, organizma që mbajnë në jetë degë të trungut të identitetin tonë kulturor. Sot, pothuajse në të gjitha qytete shqiptare kemi ansambël të këngëve dhe valleve shqiptare! Veç kësaj, kemi edhe shumë asociacione, apo shoqëri kulturo-artistike që merren me po ato punë, siç merren edhe Ansamblet! Ansamblet funksionojnë mbi punën profesionale të artistëve dhe nëpunësve kulturorë, kurse asociacionet, apo shoqatat, funksionojnë mbi baza të aktiviteteve vullnetare amatore! Çka i duhen një shoqërie ansamblet! Cili është funksioni i tyre në shoqëri? Si funksionojnë ansamblet? A janë të ndarë nëpër seksione, apo thjesht, i qëndrojnë “besnikë” emërtimit duke u përkujdesur eksluzivisht për vallet dhe këngët?

Nisur nga programi vjetor i ansambleve me të cilat konkurrojnë në ministritë përkatëse, nisur nga projektet mbi të cilat e bazojnë punën e tyre vjetore, del puna se, këto Institucione profesionalisht angazhohen vetëm në përgatitjen e repertorit vjetor me këngë dhe valle; angazhohen denjësisht për ta prezantuar këtë segment të kulturës sonë nëpër festivale të ndryshme anekënd botës si dhe, fatkeqësisht, në gjuajtjen e dasmave që i shikojnë si tezga të mundshme për të përfituar ndonjë lekë!

Çfarë kategori artistësh kemi sot nëpër ansamble, përveç këngëtarëve, valltarëve dhe instrumentistëve? Ansamblet tona, sot, në këtë kohë kur thesari ynë kulturor po varfërohet dita ditës për shkak të vdekjes së artistëve popullorë, nuk kanë kurrfarë koleksioni nga trashëgimia jonë e begatë folklorik! Nuk kanë seksion që do të merrej me ruajtjen e veshjeve popullore origjinale, të krahinave e zonave tona. Të dhënat etnografike dëshmojnë se, shqiptarët si popull, janë pronarë të lashtë të dhjetëra veshjeve të ndryshme. A kanë etnografë ansamblet tona për t’i evidentuar dhe për t’i sugjeruar veshjet për vallet burimore karakteristikë e trevave gjegjëse! Cili është fondi i veshjeve popullore ndër ansamblet tona? A kanë garderoberë që merret me sigurimin në përmasa origjinale të këtyre veshjeve popullore! A kanë seksionin e botimeve për t’i përgatitur katalogët me historinë e secilës veshje popullore! A kanë seksion për gjetjen dhe ruajtjen e veglave muzikore, a kanë muzicientë profesionalë që dinë si të përdorin dhe ku t’i përdorin ato vegla! A kanë valltarë entuziastë apo koreografë të shkolluar, të cilët e dinë kufirin në mes të valles folklorike dhe asaj të përpunuar! A kanë seksion që do të merrej me digjitalizimin e valleve instrumentale të cilat gjithnjë e më pak janë në fokusin e Ansambleve popullore? A kanë seksion për digjitalizimin e valleve të vjetra, të cilat po vdesin bashkë me maestrot popullorë.

Është një zonë e madhe, që fillon nga Gjilani, që përfshinë tërë Karadakun e që shtrihet deri në Preshevë e Bujanoc, ku, sipas etnomuzikologut të madh shqiptar, Ramadan Sokolit, janë luajtur dhe luhen mbi 25 lloje të valleve, të panjohura nëpër viset e tjera shqiptare, siç janë: “Vallja e Deli Agushit”, “Vallja e Ibrahim Hoxhës”, “Vallja e Preshevës”, Vallja e tretë”, “Vallja e katërtë”, “Vallja e Mehmetit”, “Vallja e Gjilanit”, “Vallja e Gajdës”, “Vallja e Mahramës” , “Vallja e Kaçakëve”, “Vallja e Miratocit”,”Vallja e Moravës” etj. Ansamblet tona, sidomos ajo e Kosovës dhe e Maqedonisë së Veriut, është mirë që të hapin seksionin e tubimit, ruajtjes dhe konservimit-digjitalizimit të tyre, si audio ashtu edhe video, sepse është një trashëgimi shumë e shtrenjtë popullore. Ansamblet tona duhet ta shtrijnë gamën e veprimit të tyre, të organizojnë nga tri-katër seminare në vit. Po ashtu, të marrin pak edhe nga roli i institucioneve të etnologjisë, etnomuzikologjisë, historisë etj. Nuk duhet që projektet e tyre të ofrohen vetëm sa për të kërkuar lekë për program vjetor e për shëtitje nëpër festivale botërore. Sepse, përsëritja e vetvetes nëpër koncerte e festivale, jo që nuk është produktive, por, mbi të gjitha, është shumë monotone, madje edhe fort e bezdisshme! Trashëgimia jonë materiale dhe shpirtërore është aq e pasur sa çdo ditë të vitit mund ta ketë repertorin e vet. /HEJZA/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat