Lule të atdheut tim

Kultura

Lule të atdheut tim

Nga: Zymer Mehani Më: 22 shtator 2021 Në ora: 09:54
Zymer Mehani

(I përkujtojmë dëshmorët Fehmiun e Xhevën me rastin e përvjetorit të rënies, 22 shtator 1998)

(Çifti Fehmi e Xhevë Lladrovci, që ishin ndër figurat më eminente të organizimit dhe të luftës për liri në Kosovë, ranë më 22 shtator të vitit 1998, në një betejë të vështirë e të pabarabartë me forcat serbe, pas një qëndrese heroike. Bashkë me ta ra edhe studentja Fatime Hetemi dhe shumë dëshmorë të tjerë. Lavdi!)

I
Lulëkuqe të kësaj Toke, oj
Ngjyrat tuaja
Shumë i dashuroj
Dhe ky imi shpirt
Pas jysh rend n’shtegtim
Ia sollët lirinë
Lule, atdheut tim
II
Me kujtimin për Ju
Punoj dhe jetoj
Me dhembje, por krenar
Lulegjaku, moj
Juaji zë më kumbon
Shpesh në qetësi
Kur vëllezërve u flisnit
Për t’shtrenjtën liri
Lulëkuqe të Tokës sime
Pas hapave tuaj dritë-hirë
Arriti, e bukur si nuse
E atdheut liri e dëlirë

...
E me atë Lisin e Madh
Me kokë prore n’qiell
Njëri-tjetrin dashuronit
Me zjarr, Motra Xhevë
Si Azemi me Shotën tok
E pate Fehmi Lladrovcin
Bashkëluftëtar e shok
Shok të zemrës
Të jetës helm-vajë
As lufta, as vdekja
S’mundi që t’ju ndajë
III
E di, Trime, Lulegjaku
Tani pranveron
Më mirë se herave tjera
Harlisesh drejt qiellit
Petalet lëviz
Më shfaqesh n'vegim
E për atdheun e shtrenjtë
Për një çast dhe përgjithnjë
Të pushuan tik-taket e zemrës
Por ti Lulëkuqe e kësaj Toke
Dhe sot kuqëlon
Dhe sot pranveron
Më shikon
Më flet
Me tuajat ato fletë
Neve na dhe jetë
IV
Sa kisha dëshiruar
t'i prek tuajat fleta
ta puth atë kurorë
ngjyrash kuq e zi
Nga zemra plot zjarr
nxjerr një këngë plot mall
t'ia vë si kurorë
tëndit lapidar
Trimëreshë,
Ty të falem
Për ty këndoj
e s'ndalem
E bukur, e ëmbël
plot diell më je ti
Kam një mal me vargje
Lulëkuqe për ty
V
Rrugës së gjakut
ata erdhën
Se tjetër rrugë
s'u mbet
E ti, moj Lulëkuqe
e kësaj Toke
qartë ua tregove
këtu kush është mbret
Ti, moj Lulegjaku
i hape petalet tuaja të mëdha
porsi Shqipe Dykrenore
Me të gjerët krahë
Me plot krenari,
hije i bën Tokës Arbërore
Me trimëri shqiptare
e besë stërgjyshore
Zemër-burrëreshë
plot trimëri
Lufëtare ndër luftëra
për t'shtrenjtën liri
VI
Tjetër kohë nuk ka,
veç kohës së Lulëkuqeve
Koha e urrejtjes
u nënshtrua nga Ju Lulegjak
Nën petalet tuaja
liria u përflak

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat