Pranverë e hidhur

Kultura

Pranverë e hidhur

Nga: Bajram Sefaj Më: 13 dhjetor 2021 Në ora: 10:28
Bajram Sefaj

Shkallë, shkallë…, shkallë, shkallë…

Kur ngjiti shkallët më të larta të artit teatror, papritmas çeli «pranverë e hidhur!».

S’ka si bëhet më e hidhur, ishte ajo pranverë.

Mbi zallin e imët kristalor të plazhit të madh të qytetit të bukur bregdetar, atë stinë të hidhur, kushedi në e sollën valët e detit, që i trazonte dhe i tallaziste puhizë ngjitëse me syprinën e ujit, në vinte nga anë e panjohur, nga shtigje të errëta gjithësie…?

Ishte ditë e enjte. Katërmbëdhjetë i muajit mars, ishte numri i asaj dite, në kalendar…

Shkallë, shkallë…, shkallë, shkallë…

Vetëm edhe një skenë, hiç tjetër, duhej rixhiruar, edhe një «dubël», rezervë.

Regjisorit i ishte tekur se ishte i domosdoshëm.

Pas kësaj, premtonte ai, çdo gjë do të përfundonte mbarë.

Do të fiken dritat e reflektorëve. Do të mbyllen kamerat. Do të mbështillen rekuizitat. Do të çmontohet skenografia. Pjesët e kostumografisë do të palosen, në arka…

Do të pushojë çdo gjë.

Sheshi i xhirimit s’do të gumëzhijë më. Me thirrje e britma që aq shumë ngjajnë në turbullirë.

Shkallë, shkallë… shkallë, shkallë, shkallë…

Përfundimi i xhirimit të këtij filmi të ri artistik, pritej të shënonte dy të qëlluara përnjëherë: ngjitjen e artit kinematografik, në përgjithësi, në shkallë më të lartë, por edhe një shkëlqim të ri të bartësit të rolit kryesor, në veçanti.

Dy të arrira, të mira e të dashura, ngase janë të afërta si dy motra binjake që pinë ujë nga i njëjti burim.

Shkallë, shkallë… shkallë, shkallë…

Në çastin kur aktori përsëriste rrokjet e fundit të një bisht teksti të shkurtër, për ta thënë atë sa më mirë, para kamerave, drejt e pa gabime, në dhomën e hotelit «Puhia», kobshëm shkrepi një zë!

Nuk ishte, jo!, zëri që aq shpesh, për gjithë ato ditë, ftonte në shesh xhirimi.

Zëri nuk e thirri, por e theri, në zemër!

Si majë thike e helmuar !

Nga vinte ajo thirrje. Nëpër cilën rrugë të fshehtë? Ç’porosi sillte ajo? Nga vinte? Nga përbirohej?

Aktorit zemra iu dalldis, veshët i morën oshtimë të thellë. Tronditëse. Marramendëse ishte ajo turbullirë e thellë. Vdekësore!

Shkallë…

Krye shkallëve të katit të tretë të hotelit, kryeaktorit, sakaq i shket këmba e, shakull bie para këmbëve të recepsionistit dhe të mysafirëve e klientëve të rastit, kur qëllojnë atypari.

Përplasja ishte e fortë, e pamëshirshme.

Pas vetes nuk linte asnjë shpresë, për asgjë tjetër, pos konstatimit…

Recepsionisti, mysafirët, personeli i gjithi, sakaq ishin mbledhur rreth trupit të pajetë të aktorit. Me vaje, gulçima dhe britma të mëdha, sikur qiejve në gjithësi t’i nisnin lutje për ringjalljen e tij, me besimin se vdekja e tij nuk ishte tjetër pos një rol i interpretuar mirë e me besnikëri madhështore. Ashtu siç kishte ndodhur aq shpesh me heronjtë e galerisë së pasur që i kishte interpretuar gjatë karrierës së tij të pasur, si aktor filmi e teatri.

Trupin e plandosur për dyshemenë e mermertë e të rrafshët të hotelit, spektatorët e rastit, e kishin përjetuar si një shajni. Si një ëndërr. Një vegim të rremë, asgjë tjetër!

Sh, sh…, sh, sh …

Ngurrimi i thatë, i ftohtë, heshtja e thellë, si të mos kishte ndodhur asgjë prej gjëje, vinte nga andej. Anës së taborit të ekipit realizues. Nga anë e aktorëve.

Ishte kjo një befasi alarmuese. Ashtu siç ishte kryeneçe vetë inercia e regjisorit. Jo vetëm nuk i avitej kufomës kokëçarë të kryeprotagonistit të filmit të tij, por ndalonte edhe të tjerët të afroheshin. Ngeshëm priste mjekun legjist, ekspertin gjyqësor, policinë, hetuesinë… në vendin e ngjarjes…

Sh, sh…, sh, sh…

Përfundimin tragjik të aktorit, kjo e bëri edhe më të rëndë. Të zymtë. E mbështolli me futë të zezë. Mortin e pllakosi terr i zi dyshimi. Prerje. Grirje…

Atë ditë e sot, s’u mor vesh asgjë!

«Pranverë e hidhur», lidhur.

Enigmë!

Mister!

Mjegull!

Mos, vallë, në vet titullin e filmit, - pranverë e hidhur, - fshihej mallkimi!

Sh, sh…., sh, sh…

Shët!

(Francë, pranverë - 2001)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat