I ligu

Kultura

I ligu

Nga: Zymer Mehani Më: 19 janar 2022 Në ora: 08:49
Zymer Mehani

Punët e veta- llugë
E me t’huajat merret
Gjithkund hundën fut
Prej agut, gjer t’erret

S’i shpëton asgjë
Pa e parë te tjetri
“T’i di lug’t në krojshe”
Siç ka thënë i vjetri

N’shpi t’vet s’ e sheh buallin
Te tjetri sheh mizën
E bën qimen tra
Rron me qësendismën

Nuk ka njerëzillëk
I paedukuar
Kurrë s’i pushon goja
Duke përgojuar

Për vëllanë flet keq
Për mikun dhe shokun
Trillon e gënjen
S’ta këputë konopin

Tërë ditën e çon
Duke u sorollatë
Se Zoti e ka falë
Me mendjen sakat

Me dorë asgjë s’prek
Asnjë punë s’e kryen
Shpif edhe trillon
T’bardhën e përlyen

Këmbë e tij ku shkel
Tokës i rëndon
Ndërron njëqind f’tyra
Si kameleon

Gjuhë t’nëpërkës ka
Kudo therë me fjalë
S’e mendon të fundit
Të dalë ku të dalë

Dhe gjërat e huaja
Shpesh i përvetëson
N’xhepa t’huaj futë dorën-
Është i tij zakon

S’e thotë kurrë t’vërtetën
Gënjeshtrën ka shok
Bën e çfarë nuk bën
Dy gurë s’i lë tok

Mjerë sh’pia që e ka
Mjerë dhe tërë qyteti
Lanetër e djaj
E marrëshin me veti

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat