“Kur e ha pazari, pse jo...”

Kultura

“Kur e ha pazari, pse jo...”

Nga: Hejza Art Më: 28 qershor 2022 Në ora: 12:46
Foto ilustrim

Kritiku i artit, Mexhit Prençi në një analizë për kritikën, estetikën dhe joestetikën, duke folur për ambientin aktual letrar, ndër të tjera do të thotë se “ka ardhur koha që kritikët e vërtetë, aktivë, t’i aktivizojnë nëpër juri, në veprimtari artistike (po kjo nuk ndodh, sepse ata janë të pakompromentueshëm) dhe të mënjanojnë të sklerozuarit, qofshin kritikë apo profesorë, të mënjanojnë sidomos kritikët entuziastë që flasin me superlativa edhe për veprat mediokre, apo ata që s’janë kritikë; ka ardhur koha që të shpartallohen klanet e jurive që bashkëpunojnë me nëpunësit e ministrisë, duke ndarë çmime sipas shoqërisë, miqësisë, këmbimit të çmimeve: këtë vit ti mua, vitin tjetër unë ty, duke caktuar në juri ata që kompromentohen kollaj, që bëjnë allishverishe të ulëta duke sfiduar vlerat”.

Një konstatim mbase shumë i saktë për mjerimin intelektual, për të cilën gjendje rrallë bëhet fjalë. Tashmë të gjithë e dinë se ku katandisur kritika, por çuditërisht të gjithë heshtin. Jo njëherë kemi bërë fjalë për “qarqet” letrare si reflektim i një mentaliteti provincial. Jo njëherë kemi bërë fjalë edhe me abuzimet e shumta në emër të artit shqiptar në përgjithësi dhe letërsisë shqiptare në veçanti.

Botimi pa kriter i veprave “letrare” është bërë dukuri e shëmtuar, shëmti e cila merr nuanca edhe më të plota nëpër promovimet ku nuk kursehen fjalët që nuk thuhen as për nobelistët në lëmin e letërsisë. Janë pikërisht këto promovime, të cilat që moti i ka mbuluar velloja e hipokrizisë dhe e pagjakësisë (sikur të kishte vetëm pak gjak, atëherë ata që “veprat” i ngrenë në qiell, nëse jo të skuqen, së paku do të zverdheshin nga ndonjë grimcë turpi). Janë pikërisht këto promovime ku si në asnjë vend tjetër vije në shprehje mediokriteti.

Dhe sa shumë manifestime letrare (orë poetike) që kemi. Në këto manifestime kemi edhe: mbllaçitje, ndarje letrash (biçim mirënjohje) për pjesëmarrje, shumë fotografi, e kështu me radhë, por nuk kemi vetëm letërsi. Pastaj, që është edhe më e rrezikshme, kemi disa “aleanca” letrarësh që funksionojnë në trekëndëshin Tiranë, Prishtinë, Tetovë (Shkup), që në fakt bëjnë petulla vetëm për vete dhe marrin nëpër gojë të tjerët, kinse vetëm ata janë që bëjnë letërsi dhe se të tjerë nuk ka.

Tash së fundi, gjithnjë e më shumë vërehen disa sekserë shqiptarë që, bie fjala, prezantojnë poet maqedonas në mediumet shqiptare (Tiranë), por edhe në Kosovë, siç ishte rasti i një poeteje maqedonase që iu kushtua në prezantim në Mitrovicë. Dhe këta sekserë “kozmopolitë” shpërblehen me ndonjë përkthim të ndonjë poezie të tyre në maqedonisht dhe këtu filmi përfundon, pavarësisht faktit se, krijuesit shqiptarë nga Maqedonia e Veriut shumë pak ose aspak nuk prezantohen ose përkthehen në gjuhën maqedonase, siç kanë (me ndonjë përjashtim) prezantim sa për sy e faqe (përbuzës) në Shqipëri e Kosovë.

E gjithë kjo që e thamë më lartë është pasojë e mungesës së kritikës së vërtetë, e mungesës së analizave të thukëta, të cilat janë zëvendësuar me veprime mediokre, të cilat fatkeqësisht kanë prodhuar veprime të shëmtuar që cenojnë shtyllat bartëse të identiteti tonë kombëtar. Është pasojë e mungesë së veprimeve mbrojtëse institucionale.

Në fushën e letërsisë me të gjitha komponentët rreth saj, fatkeqësisht sot kemi një pazar, ku gjithçka shitet dhe ku vlen vetëm një logjikë: “kur e ha pazari, pse jo...”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat