Ora ime e prishur

Kultura

Ora ime e prishur

Më: 9 gusht 2022 Në ora: 19:11
Foto ilustrim

Çfarë është kritika letrare? Orvatja, përpjekja për të gjetur një përgjigje bindëse për këtë pyetje, përtej përkufizimeve të njohura, gjithmonë më kujton një histori timen, kur isha njëmbëdhjetë apo dymbëdhjetë vjeç.

Atë kohë, babai kishte sjellë në shtëpi një orë kineze, me një pulë ngjyrë kafe në sfond që çukiste papushim kokrrat e grurit të pikturuara në një enë druri. E shikoja atë orë të mistershme, që babai e kishte vendosur mbi tryezë në odën e miqve, si diçka të çmuar, dhe përvëlohesha nga dëshira për ta kuptuar si funksiononte. Një ditë, kur gjendesha i vetëm në shtëpi, i hoqa kapakun e pasmë dhe shikoja ingranazhet se si lëviznin. Zura t’i çmontoj një nga një pjesët e magjishme, i bindur se do ta montoja prapë, duke i vendosur siç ishin të gjitha pjesët. U përpoqa disa ora ta ktheja orën në gjendjen e mëparshme, por nuk ia dola. As babai madje nuk arriti ta vinte në punë sërish. Orën e kisha shkatërruar përfundimisht. Nga ajo ditë babai më urdhëroi të mos guxoja të prekja radion, dhe as orën e tij të dorës. “As pluhurat nuk duhet t’ua fshish”, tha prerë, duke më paralajmëruar për instinktin tim shkatërrues.

Pak a shumë të njëjtën gjë bën edhe kritika me veprat letrare; i çmonton,i destrukton, lë pas vetës një rrënojë. Kritikët letrarë gjithmonë më kanë kujtuar Darvinin dhe një ironi të hidhur të tij, kur miqtë dhe kolegët vinin entuziastë dhe i flisnin për ndonjë profesor universiteti apo akademik, duke vënë në pah kulturën e tij të gjerë, dijet e tij të pafundme. Darvini, pasi i dëgjonte deri në fund, përgjigjej duke vënë buzën në gaz: “Po, e di, ai njeri ka lexuar shumë parathënie librash”. Kjo histori e Darvinit, e lexuar në rininë e hershme, më ka mbetur në mendje jorastësisht. As unë që nxënës shkolle, nuk i lexoja kurrë parathëniet e librave, të cilat shkruheshin si udhëzues se si duhej lexuar, si duhej kuptuar dhe si duhej vlerësuar libri. Kjo më krijonte problem në orën e letërsisë, dhe në shkollë të mesme, ndryshe nga të gjitha lëndët që kisha notë maksimale, letërsia më doli nëntë. Një karton i kuq për të më përjashtuar nga bota e librave. Dhe nga letërsia gjithashtu.

Që në atë moshë kisha krijuar bindjen se teoritë letrare, shkollat, kategorizimet, gjithë çka shkruhej e thuhej për letërsinë. kishte karakter didaktik dhe në të shumtën e herëve, edhe në këtë kontekst, të perceptuara gabim, që më shumë më pështjellonin se më ndihmonin në leximet e mia.

Sigurisht, që kritika letrare e ka një funksion: të ndihmojë lexuesit ta lexojnë dhe ta kuptojnë letërsinë. Dhe që ta kryej këtë mision, kritiku duhet të jetë një lexues i mirë, por lexuesit e mirë janë të rrallë, jo vetëm midis kritikëve, po edhe midis vetë shkrimtarëve.

Jo rastësisht J. L. Borges thoshte se unë krenohem me librat që kam lexuar, jo me librat që kam shkruar. Pra, edhe këtë funksion të vetëm kritika letrare e kryen me vështirësi dhe në raste të rrallë, sepse lexuesit e mirë midis kritikëve janë po kaq të rrallë. Për të mos folura pastaj për gjithë anomalitë e tjera që mbizotërojnë realitetin tonë kulturor dhe kritikën tonë letrare gjithashtu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat