Pret teatri

Kultura

Pret teatri

Më: 22 shtator 2022 Në ora: 14:04
Foto ilustrim

‘Hë se nuk ka problem, pret teatri’! Pas kësaj logjike fshihet ai gjakim i flaktë i pushtetarëve antikulturorë për t'i futur në dhëmbëzorët e ‘propagandës së mirë’ të gjithë artistët dhe krijuesit të cilët do të flasin në superlativ për pushtetin. Si?

Në botën e civilizuar, fillimisht ngritën objektet e reja kulturore ku bartet dhe akomodohet komuniteti artistik dhe pastaj nisë prishja apo renovimi i objekteve ekzistuese.

Në Tiranë u rrënua objekti me vlera kulturo-historike i Teatrit Kombëtar, shtatë-tetë vite më parë u mbyll për shkak të renovimit ‘epik’ edhe objekti i Teatrit Shqiptar në Shkup, kurse javë më parë, Teatri Kombëtar i Prishtinës u ‘akomodua’ në disa objekte ‘të përshtatshme’, sepse objekti i vjetër do t`i nënshtrohet intervenimit renovues!

Renovimet te ne zgjasin me vite, me decenie! Sepse kaq kohë të duhet për ta ‘ftohur’ publikun, kaq kohë të duhet për ta dëbuar publikun, kaq kohë të duhet për ta mërzitur publikun! Po kaq kohë mjafton për ta provokuar deri në shpërthim edhe revoltën e artistit! Atëherë del në ndihmë pushteti dhe nisin elozhet e artistëve: ‘ nuk ka me këtë qeveri’! Dhe, ku ka më të mirë reklamues se artistët?!

Ekzistojnë edhe forma të tjera të dëbimit të publikut, i cili do shumë kohë e mund që të krijohet! Publiku që është mësuar me shfaqjet permanente të teatrit të vet, nuk pajtohet aq lehtë që t'i lëvizë kalendari i shfaqjeve. Nëse i lëvizë, të parët që do të shahen janë artistët! E ç’faj mund të kenë artistët në ndërprerjen e rrymës nga korporatat energjetike që operojnë në vend!

Kohë më parë në Prishtinë, në mes të shfaqjes ikën dritat! Në teatrin Shqiptar të Shkupit gati një muaj nuk paska drita! Institucioni në fjalë tash e shtatë muaj nuk paska paguar drita! Borxhi ndaj EVN-së - 70 mijë euro! Në muaj Teatri të ketë harxhuar nga 10 mijë euro drita? Ky Institucion prodhon shfaqje apo kripto-valuta?!

Pse ky borxh? Pse nuk intervenohet me shkyçje menjëherë pas tre muaj mospagesë, por lihet të shtohet borxhi deri në falimentim! Pse ministri gjegjës i ‘pushtetit shpëtimtar’ nuk ka bashkëbisedim me menaxherët e institucioneve kulturore, siç e zhvillon këtë me ‘menaxherët’ e xhamive dhe kishave për të dalë përtej pragut të borxhlinjve të mëdhenj!

Natyrisht, nëse nuk intervenon qeveria, Teatri ngelë në terr. Dhe, intervenimi i parë i pushtetit, si gjithnjë, është: mos reagoni, mos na bëni presion me dorëheqje eventuale, rrini urtë e ne ju nxjerrim në selamet! Ja pra, pse pushteti është gjithnjë i mirë dhe i dashur me komunitetin e artistëve! Mbi të gjitha, për faktin se gjithnjë e gjejnë gjuhën e përbashkët të pafajësisë dhe papërgjegjshmërisë! Kur ka krizë energjetike duhet të ketë edhe krize kulturore!

Kjo është ajo ‘ujdi’ që i mbanë paqtë pushtetet antikulturorë dhe komunitetin e artistëve dhe krijuesve partiakë. Në Perëndim t'i ndodhë një institucioni kulturor të ngelë pa drita apo të jetë borxhli i korporatave energjetike? Do të llogaritej si fyerje më e madhe që i bëhet një kombi, i cili aktivitetet kulturore i ka ushqim shpirti, pa të cilën nuk e shtyhen dot qoftë edhe një ditë. /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat