Shkrimtari

Kultura

Shkrimtari

Nga: Hejza Art Më: 26 shtator 2022 Në ora: 11:31
Foto ilustrim

Shkrimtari është mjeshtër i fjalës së shkruar që e ngritë në vepër letrare artistike! Shkrimtari është aset kulturor kombëtar. Ekziston një relacion i çuditshëm në mes të shkrimtarit dhe kombit të vet! Shkrimtari ndjehet krenar kur pranohet nga kombi i vet, ndërsa kombi i tij ndjehet krenar kur shkrimtari i vet pranohet nga bota. Ekziston edhe ajo ujdi (politikë) në mes të shkrimtarit dhe kombit (apo, anasjelltas), por, megjithatë, ky është momenti kur shpërthen pasioni. Shkrimtari politikisht i pasionuar nuk është asgjë tjetër përveçse vegël e pushtetit manipulues, e një strukture politike psikikisht të retarduar, e cila ia mësynë helmimit të “përroit të ndërdijes” të mbarë popullit. Shkrimtari, më shumë se çdo artist e krijues tjetër, është “vegla” më e përshtatshme për ta ngjallur e shtuar urrejtjen te populli kundër “armikut të jashtëm”, të cilin po e lufton me mish e me shpirt pushteti popullor! Në fakt, kjo është vetëm “një metodë e suksesshme” për ta spostuar vëmendjen e popullit nga krimi e korrupsioni, nga vjedhjet dhe keqpërdorimi i pozitave shtetërore, “te armiku” imagjinar, i cili duhet të luftohet me urrejtje nacionale!

Shkrimtarët shqiptarë, le ta marrim që nga Buzuku e deri te i fundit, shquhen ekskluzivisht për kultivimin e atdhedashurisë, për ruajtjen me pasion të vlerave nacionale, për kultivim e shpirtërores dhe të humanes që janë vlera të shenjta të njerëzimit! Shkrimtarët shqiptarë nuk kanë kultivuar urrejtjen, nuk janë organizuar ndonjëherë në përkrahës të strategjive politike që kanë synuar luftimin, shfarosjen, gjenocidin kundër ndonjë populli tjetër, dhe as nuk kanë përkrahur politika diskriminuese kundër ndonjë komuniteti apo etnie!

Shqiptarët kurrë në historinë e vet nuk kanë pasur një “institucion shkrimtarësh”, siç e kanë pasur serbët “Francuska 7”, në të cilën kanë defiluar që nga Ivo Andriqi e deri te “viq”-at e rinj dhe ku në mënyrë permanente është trimëruar pushteti që institucionalisht ta manifestojë “urrejtjen kulturore” nacionale që e kanë kultivuar kundër shqiptarëve!

Të tillë shkrimtarësh të apasionuar në kultivimin e urrejtjes antishqiptare ka pasur edhe në mesin e “shoqatave akademike” maqedonase që kanë funksionuar në një linjë me kanalizimin e pasioneve të “Francuska 7”! Edhe këta shkrimtarë, sa herë që i është dashur pushteteve maqedonase që të shpërqendrohet vëmendja nga problemet reale në probleme imagjinare, janë shndërruar në aparatçikë të pushtetit dhe, qoftë përmes “letrave të hapura”, qoftë përmes “orëve letrare”, kanë “targetuar” armikun e brendshëm të Maqedonisë së Veriut, i cili duhet të dëbohet në Shqipëri!

Pra, shkrimtari shqiptar synon që ta përmbushë dëshirën humane të popullit të vet: të bëhet shkrimtar i gjithë botës. Është dëshirë gjenetike e popullit shqiptar që të kemi një Kadare me një “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, është dëshirë e përjetshme e popullit hispno-amerikan të kenë një Sabato, një Markez, një Borhes, një Koelho; është dëshirë e popullit spanjoll që të kenë një Zafon, dëshirë e popullit italian të kenë një Eko etj. Popujt e civilizuar, popujt që janë kultivuar me vlerën humane, gjithnjë ëndërrojnë që shkrimtarët nacionale të trajtohen dhe të pranohen si vlera kulturore universal. Jo rastësisht, në mesin e popujve fisnikë, pra edhe të popullit shqiptar, do të gjejmë edhe artistë të fushave të ndryshme me përmasa botërore, që gëzojnë respektin e botës!

Shkrimtarët, ndonëse nuk punojnë profesionalisht brenda institucionit përkatës dhe nuk marrin paga mujore nga angazhimi i tyre letrar, siç është rasti me aktorët në teatër apo me instrumentistët në filarmoni, apo me sopranot, tenorët, me baletanët në opera dhe balet, me valltarët në ansambël, prej nga edhe pensionohen, megjithatë ata përpiqen të jenë shpirti i popullit! Në momentin kur shndërrohen në “armë” e pushtetit që ia del ta manipulojë popullin e vet, atëherë kemi të bëjmë me një fatkeqësi kombëtare me pasoja të parikuperueshme për shekuj me radhë. /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat