Zëri i nënës

Kultura

Zëri i nënës

Nga: Tahir Bezhani Më: 15 maj 2025 Në ora: 11:51
Autori Tahir Bezhani

Një zjarrmi e etshme më zuri

Mall i çmendur u fut në zemër

Varri i nënës më vjen para syve

Ka kohë që nuk e kam vizituar

Rrëmujë mendimeve të mia

Palë mbi palë ngarkuar

Dita gdhiu e bukur, me rreze dielli

Përmallshëm ecja rrugës

Mbytur në kujtime....

Arrita te varri me zemër të ganduar

Heq bar të keq, ndonjë rrënjë fier

Një ushtimë dika më vjen, një zë....

Një dredhë pluhuri rrugëve të fshatit

Ngrihej deri në qiell

Më mbështolli në boshtin e saj

Më lidhi si në djep lilak

E një zë i ëmbël ,si në vaj flet:

“ A ishe në Zogaj o biri im

A gjete kënd, a të priten mirë?!

A të thanë ndonjë fjalë

Te varret a ke qenë

Folëm lumi im, folëm çdo gjë?...

Që gjashtëdhjetë vite kam ikur

Akoma shkrumin e kam në buzë

E mallin në sy e mbaj....”

Pasi iki dredha në rrugëtimin qiellor

U shkreha në lot e vaj mbi varrin e saj

Kujtoja vajtimin në dyshekllak të kullës

Kur loti i saj thante dushk e bar

Tani zërit të saj i përgjigjem me radhë

Ia kam plotësuar dëshirën ,amanetin

Radhë me radhë, duke i thënë:

Po e dashura nënë,

Kam qenë në Zogaj e fort jam çmallë

Tërë Bytyçin e Tropojën shëtit i kam

Lule ishte vendlindja ku ke lindë e rritë

Ato boka e kodra, fusha e male

Vizituar të gjitha i kam

Themelet e shtëpisë i gjeta pa kate

Beso ,shumë jam mërzitë!

Dajë të dashur: Alushi, Ademi, Sadiku

E gjithë ajo djalëri

U gëzuan shumë e thanë:

“ O na erdhi nipi, djali i Razës

Pas pesëdhjetë vitesh! Sa lumturi!....”

Lotët e tyre flisnin, gojët ishin ngri!...

U bashkua Bytyçi shpi për shpi...

Nga gëzimi dashin e theren për gosti

Pastaj takova motrën tënde

Hyrën në Padesh

U përqafuam gjatë, qanë zemrat fort nënë

Çdo gjë u tregova për ty, për ne

Gati harrova pa të thënë,

Te varri i gjyshit Zenun u përula në Zogaj

Gjyshja Tahe në Padesh ishte varrosur

Shkova edhe atje

Për hatrin e zemrës sime nënë

Tani fli e qetë nënë e dashur

Kufijtë janë rrënuar

Kudo në Shqipërinë tënde kam shkuar

Më kanë dhënë shumë mirënjohje

Bytyçi e gjithë Tropoja

Kam shkruar libra nënë

Poezi për Zogaj e Valbonën

Me lot i ka qa

Si ti dikur frëngjive të kullës

Kur unë isha fëmijë....

Të gjithë më duan në Tropojë

Kur shkoj edhe gurët gëzohen

Bokat qeshin e natyra gjelbërohet

Mos rënko si dikur, mos fshaj

Ti në jetën e gjatë

Na në të rrejshmen

Një ditë atje do bashkohemi....

Tani dita iku, nata po vjen

Përshëndeta nënën te varri

Një zë si ushtimë sërish dëgjoj

“Faleminderit loke

Shpirtin ma qetësove

Shkrumin ma largove!....”

Ecja si i këputur në brez

Do vite ngarkuar trokasin gjymtyrëve

Do mjeshtër dembelë po punojnë...

Mendimet bluanin ngjarjen e ditës

Ktheva kokën prapa

Sikur diçka nga brenda foli

Natën e mirë nënë, sërish do vij

Nuk di sa vonohem!....

Shtëpia më tërhiqte, edhe fëmijët

Dy botë të ndara

Kaluan bashkë një ditë

Imagjinata ushqen shpirtin e plagosur....

Shkruar në pakohësi!....

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat