Edhe Dodik mbështet idenë për “botën serbe”

Lajme

Edhe Dodik mbështet idenë për “botën serbe”

Më: 21 korrik 2021 Në ora: 19:32
Dodik dhe Vuçiq

Anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, tha se e mbështet plotësisht idenë për krijimin e së ashtuquajturës “botë serbe”, e cila, sipas tij, “nuk do të drejtohej kundër askujt”, por qëllim të vetëm do të kishte “bashkëpunimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar dhe kulturor serb”.

Këtë ide e shfaqi për herë të parë ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin.

Dodik tha se e përkrah, sepse është “patriotike dhe nuk ka kurrfarë pretendimesh territoriale”.

”Kjo ide ka për qëllim bashkëpunimin dhe ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe kulturës serbe. Këtë gjë e kanë bërë shumë popuj para nesh dhe askush nuk ka bërë probleme. Por, kur serbët dalin me këtë ide, menjëherë bëhet zhurmë dhe ngrihen tensionet”, tha Dodik, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Një ditë më herët, anëtari mysliman i Presidencës së Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, tha se deklaratat e Vulinit “kujtojnë vitet ‘90”, kur Jugosllavia e atëhershme ishte përfshirë në luftëra të përgjakshme.

Vulin tha në një tubim të partisë së tij më 18 korrik, se “detyrë e këtij brezi politikanësh është të krijojë botën serbe” dhe “t’i bashkojë serbët kudo që jetojnë”.

Ai tha se për “krijimin e botës serbe”, është e nevojshme që Serbia të jetë ekonomikisht e suksesshme, e udhëhequr mirë dhe “të ketë një ushtri që është në gjendje ta shpëtojë atë, ashtu si edhe serbët kudo që jetojnë”.

Deklaratat nxitën reagime në Ballkan dhe u panë si kërcënim për rajonin.

Në përgjigje të reagimeve, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ndodhej në audiencë gjatë fjalimit të Vulinit, tha se politikë e shtetit të tij është ajo që thotë se kufijtë e Serbisë janë të paprekshëm dhe se Serbia nuk merret me kufijtë e të tjerëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat