Autopsi e tranzicionit 30-vjeçar

Libra

Autopsi e tranzicionit 30-vjeçar

Nga: Kadri Tarelli Më: 27 shkurt 2021 Në ora: 23:21
Foto e kopertines së librit

Falja nuk është gjithmonë e kollajtë. Ndonjë herë, që të falësh atë që na e shkaktoi, duket më e dhimbshme se plaga që na u hap. E megjithatë, nuk ka paqe pa falje.

Para pak ditësh. shkrimtari i shumënjohur Shpendi Topollaj, më dhuroi librin e tij të fundit “Pajtimi”. Më erdhi mirë, por edhe u çudita, sepse s’ka shume kohë që botoi librin “Pranë Jush”-kritika letrare. Ç’po them edhe unë, brenda këtyre muajve të karantinës, pa mbushur vitin, ka botuar gjashtë libra: kritika letrare, drama, studime, dhe ja tani së fundi edhe këtë roman “Pajtimi”, që unë e vlerësoj si “Autopsi e tranzicionit 30-vjeçar”. Nuk di sa kam të drejtë, por lexuesi le të gjykojë mendimin tim, pa qenë nevoja t’i shkojë deri në fund librit.

Jo pa qilim, autori në krye të librit vendos këto fjalë të Marianne Williamson, që unë po i përdor në kokë të këtij shkrimi. Bëhet fjalë për “falje” dhe vetiu lindin pyetjet: Kush, pse, ç’ ka bërë që të kërkojë falje! Ç’i kanë bërë viktimës që duhet të falë, dhe kështu mund të shkohet te “Pajtimi”? Pyetje pafund, që Shpendi mundohet t’i japë përgjigje.

Nuk kam ndërmend t’i bëj analizën këtij romani, sa i bukur aq edhe tronditës, me copëza jete, sa të gjalla e të vërteta aq edhe drithëruese, që i prekim çdo ditë, apo i jetuam dikur dhe po i jetojmë në këto 30 vjet “Demokraci shqiptare”. I mbetem besnik i parimit: Lexuesi ka të drejtë të gjykojë dhe të vlerësojë librin, stilin, gjuhën, dhe përmbajtjen. Megjithatë më duhet të them, se Shpendi ka bërë një libër të veçantë:

Si fillim nga forma. E menduar thjesht në formë tregimesh, disi të shkëputur nga njëri- tjetri, por që i lidh një fill gati i padukshëm dhe që të mban mbërthyer deri në faqe të fundit.

Më tej është përmbajtja, që kuptohet pa shumë mundim, se nuk janë fantazi shkrimtari, por ngjarje të gjalla, me personazhe të vërtetë, aq sa dikush pa frikë, mund ta quajë roman historik. Vini re emrat e heronjve, bie fjala nën-koloneli sovjetik Arkadi Vasiljeviç Peshkovi, etj, disa të përmendur vetëm emrin pa mbiemrin, disa me inicialet, disa me tituj e gradat e karrierës dhe detyrës. Thjesht janë njerëzit tanë që jetuan dhe jetojnë mes nesh, të ndarë e të përçarë si mos më keq nga politika, ca edhe nga babëzia për pasuri e prona. Këtu jam unë, ti, farefisi. miku, shoku, komshiu, ku secili ka ç’të rrëfejë, ç’ ka hequr më parë dhe ç’po vuan edhe në ditët e sotme. Dhe Shpendit si mbetet tjetër veç t’i qëndisë me ngjyrat e artit.

Në faqet e këtij libri do të gjejmë një galeri të tërë personazhesh, që nga Gjenerali, i dënuar nga të vetët, si mik i ministrit, por që nuk ka guxim të kërkojë falje për dënimin pa faj të të tjerëve. Me lart akoma edhe një anëtar i Byrosë Politike, i futur në kurthin e diktatorit. Këtu gjejmë deputetin e sotëm, i dalë nga hiçi dhe përfundon në hiç, Skafistin dhe kontrabandistin e ndëshkuar. Kështu me radhë: shkrimtari, gazetari i dënuar pa faj, i burgosuri politik dhe ish pronari, që bredh me letra në dorë të marrë pronat, i papuni, inxhinieri, shkollari, etj, etj. secili në botën e vet, guximtarë e të heshtur, përfitues nga “gabimet” dhe nxitjes së politikës, të gjithë të ndërthurur në fatet e njëri-tjetrit.

Si lexues, menjëherë më lind e drejta të pyes: Pse ky titull “Pajtimi”? Kështu që vetvetiu shtyhem te mesazhet që ky libër përcjell plot urtësi. Është trill shkrimtari, apo brenda kësaj fjale ka dramë, grindje, sherr e përplasje, mosmarrëveshje, dënim dhe ndëshkim, qejf-mbetje, “Heronj” (xhelatë) dhe viktima, dënues dhe të dënuar, shumica pa faj? Dhe, për të arritur te “Pajtimi”, autori përpiqet të sqarojë shkakun e konfliktit, shtyllën kurrizore të romanit. Mendoj se këtu është sekreti i Shpendit, që me kujtesën e fortë, na sjell copëza jete, të ndodhura në mjediset shqiptare ku lëvizin heronjtë e romanit, duke mbajtur mbi shpinë mashtrimin, pabesinë, ndëshkimin, urtësinë, pafajësinë dhe brejtjen e ndërgjegjes. Aq të vërteta janë ndodhitë, sa shpesh, shumë prej tyre, përmenden në biseda familjare, kuvende burrash e kafenesh, apo tregime librash e novelash, artikuj gazetash dhe emisione televizive, etj. etj.

Me një fjalë konflikti ka shkaqe, shumë nga politika, nga rrethanat, disa edhe njerëzore, por ka edhe autorë, disa fanatikë të sistemit, disa nga mos dija, disa të bindur se vepronin drejt, disa justifikohen se kryenin detyrën, disa të dobët në karakter, që kryenin “Porosinë”: ‘Më mirë të dënohet tjetri, qoftë edhe pa faj, sesa të dënohem unë”. Kështu edhe pajtimi nuk është i lehtë në mjedisin shqiptar, pasi gabimet dhe fajet nuk u ndëshkuan, kështu në kushte lirie, mungon guximi për të kërkuat ndjesë dhe falje, që të sjellë pasojë faljen, pajtimin dhe paqen shoqërore. Plagë e hapur në trupin e kombit, si më i shëmtuari trashëgim nga diktatura, që e shqetëson tej mase autorin, si intelektual atdhetar.

Ky është zëri ulëritës: “Pajtimi”, ose më shqip, bashkimi mes njëri-tjetrit, si shqiptarë. Këtu qëndron bukuria dhe e vërteta e romanit, forca e mendimit dhe interesit shoqëror, të cilin autori e ngre në art fjale. Në këto pak faqe libri, gjejmë analizë të hollë ligjore, filozofike, psikologjike dhe shoqërore. Autori, gati sa nuk thotë: Kush e merr përsipër dhe kryen pajtimin kombëtar, mbetet në histori, dhe lapidari apo përmendorja të ngrihet sa mali i Dajtit, apo i Tomorit. Krenohemi me thirrjen Pashko Vas Shkodranit: “Mos shikoni kisha e xhamia,/ feja e shqiptarit është shqiptaria”, vargje që u bënë flamur beteje në luftën për mëvetësi. Për fat të keq, edhe sot pas më shumë se një shekull, përsëri na duhet të thërrasim “Pajtim”. Pse……? - Dikur na përçante bota, më pas diktatura, po sot??? - Ka kush i jep përgjigje?

Në këtë çoroditje shoqërore, nuk është Shpendi, i vetmi që trishtohet nga kjo “sëmundje” që nuk na le të gjejmë udhën e mbarë. Janë edhe shumë personalitete të dijes, shkencës dhe kulturës, që nuk reshtin duke dhënë kumtin e bashkimit, por për fat të keq, politika dhe politikanët nuk duan të dëgjojnë.

U përdor ashpër “Lufta e kllasave”, si kalë beteje në diktaturë, që na ndau si mos më keq. Dhe, atëherë pas përmbysjes, kur prisnim që të fashitej urrejtja dhe ndarja, ndodhi e kundërta, që çuditërisht po ushqehet më fuqishëm edhe sot në demokraci. Ja si shprehet autori: “Lufta kishte mbi gjysmë shekulli që kishte pushuar, dhe në botë ishte vendosur paqja dhe mirëkuptimi, kurse te ne, armët vazhdonin të mpriheshin….”. Ndërsa unë po e vazhdoj fillin e mendimit: “Vazhdojnë të mprihen edhe sot, por në forma “Demokratike”.

Ndaj ka të drejtë autori, që në hapje të librit vendos këto fjalë, si kambanë alarmi, dëshire dhe kumt atdhetarie: “Partizan a ballist, komunist a nacionalist, socialist a demokrat, pra i majtë a i djathtë; të gjithë jemi shqiptarë e për pasojë vëllezër, dhe vijmë nga i njëjti gjak dhe e njëjta histori, me të njëjtat fitore e disfata, me po ato gëzime e hidhërime ndër shekuj, që krenohemi me të njëjtë heronj…”. Për të vazhduar deri në fund me një “Pajtim” mes dy të rinjve të dashuruar, Rezarti dhe Kaltrina, që bashkojnë dashurinë, zemrat dhe dy familjet “Armike”. Është një zgjidhje e vërtetë, por duket disi romantike, pavarësisht se ndodhin tek ne, si ishuj të veçuar në hapësirat e një deti shoqëror të egërsuar. Më pëlqen optimizmi, që të rinjtë të rritur në kushte të tjera, të ngrihet mbi plagët, mbi dhimbjen, mbi politikën, mbi mentalitetin, për ta parë e ndërtuar jetën ndryshe, mbi harmoninë dhe dashurinë njerëzore.

Të gjithë e pranojmë se e gjithë historia e botës është e ngritur mbi konflikte, ku shkrimtarët, poetët artistët, duke i pasqyruar në art, përcjellin mesazhin e pajtimit, madje edhe përmes tragjedisë. Shekspiri nuk e zgjidhi dot me dashurinë e Romeos dhe Zhulietës. E la të përfundojë në tragjedi. Ndërsa Shpendi është në një mendje me filozofin francez, Blez Paskal, i cili shprehet: “Dashuria ka arsyet e saj, që arsyeja nuk i njeh”, dhe gjen forcë që t’i bashkojë të dashuruarit: “Bashkohuni! Nuk keni kohe për grindje e luftëra. Për dashuri kini lindur e jo për urrejtje”, duke dhënë mesazhin e faljes dhe njëherazi të fisnikërisë.

Besoj se do të mjaftojnë vetëm këto pak fjalë të Gandit, udhëheqësit shpirtëror të Indisë, që thotë: “Falja është zotësi e njerëzve të fortë”, ndërsa Shpendi e tjerr më gjatë mendimin të vendosur në gojën e personazhit Jakov: “I di këto, por u preka nga mënyra se si ata që e pësuan nga ne, dinë të falin. Kjo është fisnikëri e vërtetë. Se fisnik nuk të bën titulli, por vlerat njerëzore që mbart”. Dhe pak më tej vazhdon: “Dinjitoz mbetet njeriu fisnik, ai që vjen nga një familje me emër. Në çdo rrethanë, kudo, edhe në jetë të lirë kur ka pasuri, edhe kur ia marrin të gjitha, edhe në burg, edhe në internim, edhe kur të lenë pa punë e të flakin në rrugë, edhe kur të tallin, se do të të japin pronat, edhe kur bën filozofi. Larg o zot edhe kur fal!

Kohë më parë, kur bëra një shkrim kushtuar Romanit “Mashtruesi” të shkrimtarit tonë Shendi Topollaj, bëra një parashikim disi profetik, mbi dramatizimin e kësaj vepre: “Të gjithë heronjtë, pozitiv, apo negativ, simbole të njerëzimit të gdhendura në art, që nga lashtësia e deri sot, të njohur e të famshëm, i ka bërë teatri dhe ekrani”. Dhe Shpendi dramatizoi novelën “Kurva” dhe “Pushkatimi”. Sot po i drejtohem përsëri, se romani “Pajtimi” e vlen të dramatizohet. Libri ka disa pika kulmore, dhe skena rrënqethëse, por “Pjetata” dibrane, besoj se është në krye. Një tregim mbi një ndodhi tërësisht shqiptare të ndodhur në qytetin Peshkopisë. Një ngjarje në kufijtë e legjendës: Bija ushqen me gjirin e saj të atin, mësues të futur në birucat e sigurimit tonë, për të bërë eksperiment nën koloneli sovjetik, se sa mund të durojë njeriu pa ngrënë e pa pirë?. - “Po është e tmerrshme ta mendosh: Me njërin gji ushqente foshnjën me tjetrin të atin”, - thotë i biri Inxhinier Jetgjati, djali i “Pjetatës shqiptare”.

Cili spektator, madje edhe më zemërguri, nuk do të drithërohej e të derdhte lot dhimbje, zemërimi e trishtimi? Cili piktor apo skulptor nuk do të frymëzohej nga dashuria e bijës për të atin, si pjesë e shpirtit të madh të shqiptarit, që di të bëjë edhe të tilla mrekulli legjende. Kam parasysh botën që di të vlerësojë madhështinë, që Shpendi na e kujton: Ndërsa Konsulli romak Glabrioni, në viti 67, p.e.r. ngriti një tempull dhe piktori Rubens bëri kryeveprën: “Dashuria e romakes për të atin”. Po ne shqiptarët….? A nuk e meriton qyteti i Peshkopisë një përmendore mermeri apo bronxi, pse jo edhe një tempull, për t’i treguar vetes dhe botës madhështinë e dashurisë njerëzore shqiptare? E gjitha jo mbi fantazi dhe frymëzim artisti, por me fytyra të vërteta, të mësuesit dhe vajzës së tij Shqipes.

Në mirënjohje dhe për kënaqësi të leximit, përsëris fjalët: “Vetëm të vdekurit dhe budallenjtë nuk i ndryshojnë mendimet” - thotë Shpendi, të cilit i urojmë shëndet të mirë dhe vepra po kaq të bukura artistikisht, ku përcillen mesazhe mençurie, urtësie, paqeje dhe bashkimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat