Promovim libri

Libra

Promovim libri

Më: 30 shtator 2022 Në ora: 12:23
Kopertina e librit

Dje, më 29 shtator 2022, duke filluar nga ora 15:00, në sallën e KK të Obiliqit, nën patronatin e kryetarit të komunës, z. Xhafer Gashi u bë promovimi i monografisë "Mustafë Rushiti-veteran i arsimit dhe veprimtar i shquar" të autorit Zymer Mehani.

Të pranishëm në këtë eveniment kulturor ishin poetë, studentë, udhëheqës institucionalë të komunës së Obiliqit (kryetari, nënkryetari, drejtorë drejtorish komunale), familjarë të Mustafë Rushitit, drejtues shoqatash e klubesh letrare nga Shkupi, Podujeva, Presheva, Prishtina etj.

Në këtë takim moderoi znj. Blerta Shabanaj.

Image
Pamje nga promovimi i librit

Fjalën përshëndetëse e mbajti kryetari z Xhafer Gashi, që uroi për librin autorin Mehani dhe protagonistin e librit, z Mustafë Rushiti. Pastaj për librin foli redaktori z. Fadil H. Curri, i cili ndër të tjera theksoi:

"Libri më i ri monografik i mikut tim të penës, poetit, z. Zymer Mehani ’’MUSTAFË RUSHITI-VETERAN I ARSIMIT DHE VEPRIMTAR I SHQUAR’’, i është dedikuar një personaliteti, që jeton, punon dhe vepron në fshatin Mazgit. Përmes kësaj monografie, natyrisht se e shohim një histori të tërë jetësore të Mustafë Rushitit, i cili pavarësisht sfidave jetësore, nuk u gjunjëzua kurrë, por fatet e tij i lidhi me fatet e kombit dhe të atdheut tonë, e libri është rrëfyer me gjuhën e thjeshtësisë për përpjekjet e Mustafë Rushitit (sot veteran i arsimit) për arsimin dhe edukimin shqip, për atdheun dhe për kombin. Libri në fjalë është konceptuar në katër kapituj. E tërë lënda është mbarështruar dhe sistematizuar edhe në disa nënkapituj... Librit  i urojmë rrugëtim të mbarë deri te duart e lexuesve! Familja Rushiti, lexuesit dhe zotëri Mustafa ta gëzojnë librin, e autorit Zymer Mehani i urojmë shëndet e suksese të reja në rrafshin publicistiko-letrar! " tha në fjalën e tij z. Curri.

Me një fjalë u paraqit edhe vetë autori i librit z. Zymer Mehani, i cili u shpreh: "Që ky libër të jetë njëkohësisht edhe një punim monografik për këtë mësimdhënës të denjë të arsimit shqip të Kosovës, hulumtova, gjurmova e kërkova materiale të ndryshme, që kanë të bëjnë me fushën e arsimit dhe me vitet e shkollimit të Mustafë Rushitit, si dhe me fillimin e punës së tij si arsimtar, e më pas edhe si drejtor shkolle.

Më ndihmoi shumë edhe vetë z. Mustafai, duke më ofruar një dosje të tërë me shënime e dokumente të rëndësishme, në mënyrë që libri të jetë sa më i kompletuar.

Shfrytëzoj rastin që të falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan me informacionet të cilat m’i dhanë gjatë përpilimit të kësaj monografie, si poetin e publicistin e talentuar z. Fadil H. Curri, që njëherit është edhe redaktor i kësaj monografie, pastaj edhe vetë protagonistin e këtij libri, z. Mustafë Rushiti. Falënderoj edhe familjen time për përkrahje të vazhdueshme.

Shpresoj se ky libër do të pasurojë koleksionin e monografive, të memoareve e të ditarëve, por edhe të librave të tjerë, që flasin për figura arsimore e kombëtare, duke mbetur me shpresë që edhe më tutje të botohen libra të këtillë për personalitete dhe institucione, me të cilat mburren qytetarët e mbarë Kosovës".

Fjalën e mori edhe prof. dr. Sadri Rexhepi, ku ndër të tjerash, për sgjrimrarin Z. Mehani vlerësoi: "Të shkruash qartë, të përvetësosh çdo profil lexuesi, pikërisht me afshin e afërsisë, ngrohtësisë, atdhedashurisë, ashtu siç ndodh me autorin Zymer Mehani, do të ishte lakmi e çdo poeti.

Që nga kujtimet e mbresat e kohës së fëmijërisë , kthimi nga lashtësia krenare, lirika intime, qëndrueshmëria heroike dhe erërat brutale që prore qëndruan dhe qëndrojnë ende mbi kokën e popullit tonë, tradhtia si sinonim i shëmtisë njerëzore, autori Zymer Mehani mbështetet në mendimin për besim në të drejtën dhe të vërtetën, në humanizëm, duke i dhënë udhë dhe jehonë vargut të tij margaritar.

Pra, autori Mehani ka zgjedhur vetëm një rrugë, vetëm një alternativë, por nga më të mirat, besimin në vetvete, në triumfin e së vërtetës njerëzore, prandaj, një ngrohtësi, një llavë vullkani prore përzihet në vargjet e tij plot qëndrueshmëri, besim e gjallëri."

Në vazhdim u ndanë dekorata e mirënjohje për  disa poetë e veprimtarë të Obiliqit dhe më gjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat