LDK- së i duhet fryma e bashkimit

Opinione

LDK- së i duhet fryma e bashkimit

Nga: Tomorr Avdia Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 12:31
Tomorr Avdia

Partia e cila shkundi falangat e sistemit komunist jugosllav dhe në fakt partia e parë në Europën Juglindore që shënoi fillet e pluralizmit politik, në misionin e saj në fillimvitet e 90-ta, ishte e konceptuar e ideuar me elemente puro djathtiste dhe rrjedhimisht përbënte shpresën e vetme të shqiptarëve në këtë hapësirë të brishtë gjeopolitike.

LDK, nuk ishte thjesht një subjekt politik, por ajo erdhi si një aset kombëtar, për faktin se konceptin e saj politik e ndërtoi mbi bazat e vlerave euroatlantike, ndryshe nga grupet e lëvizjet e deriatëhershme të cilat nuk mund t’i shmangeshin dot orientimit të majtë e madje me elemente të theksuara marksisto-komuniste, ku çdo mendim a grupim politik tjetër e shihnin e trajtonin si “armik”.

Fryma nacionale demokratike e frymëzuar nga Presidenti ikonik Ibrahim Rugova, kishte mbledhur e bindur të rreshtohen në këtë lëvizje politike burrat dhe gratë më të guximshëm të kombit, të cilët në rrethana tejet, të vështira nuk rreshtnin së vepruari për të mirën kombëtare, duke vënë dhe jetën e tyre në rrezik.

Por ky nuk ishte misioni i vetëm i LDK-së. E gjendur dhe themeluar në rrethana të vështira kohore, kreu i LDK-së, e dinte që sensibilizimi i çështjes duhej të ishte fokusi kryesorë. Pra LDK-ja mori përsipër misionin historik, jo vetëm për të larguar pushtuesin por dhe për ndërtimin e shteti të Kosovës, duke bërë që Kosova, të bëhej pjesë e agjendave të, qeverive më të fuqishme boterore, si Washington, Brukseli, Londra, Berlini etj. Por, peripecitë e LDK-së, nuk mbaruan më mbarimin e luftës.

Duke fituar besimin e shumicës së qytetareve ajo qeverisi Kosovën në një nga periudhat më delikate të saj, pasluftën, periudhe kjo e përshkuar nga euforia e grupeve te caktuara dhe interesat meskine të shumë subjekteve e mekanizmave dashakeqës që keqpërdornin emocionin e shqiptarëve dhe vlerat sublime të luftës.. Në vitet më pas, kjo parti ka sakrifikuar shumë duke realizuar dhe veprime apo koalicione krejtësisht të panatyrshme, duke đëmtuar orientimin e saj dhe humbur pike tek elektorati që jo gjithëherë donte të kuptonte “veprimet politike”.

Në anën tjetër, “partneret qeverisës” , që në fakt ishin siç është bërë zakon të quhen partitë e dala nga lufta, shfrytëzonin “çasjen paqësore-pasive” të LDK-s, dhe abuzonin jo vetëm me politikat qeverisësë por degradonin deri në masën sa ndërtuan gati se si një 'normë' kthimin e zyrave shtetërore si prona personale.

Por prapë se prapë, gjithë koston e këtyre gjërave e paguante LDK-ja.. Duke mos dashur që LDK-në ta shfajësojme nga “gjynahet” dhe gabimet e bëra gjatë rrugës, një gjë doli të jetë e sigurte: Që të gjitha partitë thellë në qëllimet e tyre kanë luftën politike, dobësimin dhe së fundi, shkatërrimin e LDK-së.

Madje pa paragjykuar drejtësinë, shume figura të ndritura të LDK-së janë eliminuar edhe fizikisht, një praktikë kjo e mirënjohur në skenat politike me mendësi të thellë komuniste..

Se të gjithë janë kundër LDK-së, u vërtetua dhe njëherë në këtë mes shkurti. LDK-ja mori dhe njëhere faturën për të cilën kanë kontribuar jo vetëm kundërshtarët dhe shamikuqët, por dhe shumë nga brenda LDK-së, të cilët e kanë keqpërdorur si pushtetin partiak dhe atë zyrtar, duke i konsideruar mbështetësit e tyre, gati si "skllevër", ku ata duhet të jenë gati sa here që ju duhen, por duke i injoruar e shpërfillur posa ata kanë kapur pozicione e siguruar karrige deputeti etj.

Sigurisht, se ky ndoshta nuk është momenti i duhur për të bërë bilancin, pasi që LDK-ja, ndodhet në një situate të vështirë dhe reagimi për të sanuar dëmet duhet të jetë imediat. Por njëkohësisht veprimet nuk guxojnë të merren nën ndikim të emocioneve, pasi që ato pengojnë gjykimin e drejtë.

LDK-ja duhet të merret nën drejtim të duarve të duhura, jo nga “figurat gjigante” të krijuara në ikona brenda natës, jo nga ata që janë emisar të partive tjera, e kanë vetëm qëllimin që thamë më lartë, e as nga grupet e ngushta të interesit që mbajnë përgjegjësinë për shformësimin e LDK-së, nga një parti më përmasa gjithëkombëtare në një parti me qasje lokaliste, klanore e të ngjashme.

LDK-ja, ka mjaft emra e personalitete që munden dhe duan ta ringrisin LDK-në në nivelet që i takon. Krejt çfarë duhet të bëjë është që ajo duhet kthehet tek elektorati, dhe norma demokratike e përzgjedhjes së kryetarit.

Nëse formula një anëtarë, një votë, këtë radhë është e pazbatueshme në mungesë të kohës dhe emergjencës, atëherë duhet parë solucioni i debllokimit të mundësisë për kandidim dhe frenat duhet besuar Këshillit të Përgjithshëm dhe delegatëve. Të gjjthë ata që janë pjesë e këtyre mekanizmave duhet të jenë të vetdijshëm, për seriozitetin e situatës dhe peshën që mbajnë. Kryetari i ri duhet të jetë i votuar, jo i dirigjuar apo deleguar. Debatet janë të dobishme, por ato së pari duhet të bëhen nga brenda “shtëpisë” dhe jo të zhvendosen në nivele Facebooku apo cicërimash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat