Udha e amshimit konkret

Opinione

Udha e amshimit konkret

Nga: Meti Rexhepi Më: 24 tetor 2021 Në ora: 18:16
Meti Rexhepi

Deri te ai flamur me katër sëpata mbi koka

shtrohej ngjitja shkallareve të tërthorta

mbi kurrizin e vertikales sonë  bartnim hiperbolën e kuçedrës

nuk kishte fjetur shtirej se mbyllte njërin sy

se si e ku mund të binte mësymja

ishte një shtysë e kurdisur termometri

kurdoherë e kishe me veti

mbase temperaturat vibrojnë

pesha  e temperaturës të hedh  nga njëri në polin tjetër

ngjitja sjell shkallaren e marramendjes së vjetër

gradëve të ngritura pastaj zbritja

me krah a pa krah nga akulli në zjarr

të ndjek trajta e paralizës

e shndërrimit në gomar që pall në malin pa barë

ta pështysh vetën  të shkarë

të këndellesh në një asket

drejt cilësdo kahe të mësysh

një gjymtyrë kuçedre do ta kesh

shtetin-oktapod mijëra tentakula valë alarmesh

prapa shpinës dhe përballë

këtej e ndjenë bymimin dhe ngrirjen

në përrallë mbresën dhe shpresën

asnjë lutje deri te oaza e zemrës dhe e shpirtit

nuk ta jepte dorën e shpëtimit

i përshkuar valëve drithëruese

shkallëve avullore të hiperbolës

pas Teje i dyti i treti  i dhjeti  i njëqindti

pse mos t`i rrekeshin figurës së krahasimit

ja si shtegtonte Epi nën thika e tyta për Lirikën

pikë-pikë gojët anonime e kishin mbush përfytyrime

shtohej qeta termometrit i zbrisnin gradët

krahasimi i shkëput përfytyrimeve të zezën torturë

është litar i ngjitjeve tehut  asht-prerës urës së rrënuar

për t`ia thyer zinxhirët Të Mirës së Lidhur

mirëpo Ai e shkroi epitafin e vet në fletë

dhe e dogji po me dorë të vet

rininë trupin dhuntinë  vashën dhimbjen

për dritën e këtejme të amshimit konkret

 

 

 

kundruall ndeshtrashës një amshimi të errët

figura e krahasimit humbi bastin me Bacën*

 

të del para sërish e brishta shtysë

Zotit të lajthitur mbaja ison mu në fytyrë

prapakthimi të thyen dyfish

përballja e lënë pezull

rrëzon drejtpeshimin

i çelë apetite asaj kuçedre  për gëlltitje

kuçedra e yshtur nuk përmbyllej në litotë

para Të Madhit Zot i shihje lot

pikërisht për shkrirje të tilla i kishte caqet nisma

si të lëkundej pa u goditur kjo botë

kuçedrës-shtet ia shihje përmasat e nervozes

kozmetikë politesash si zjarr kashte dhe blozash

prapa-shtysës i priteshin këmbët

të  paralizonte krahasimi i gjymtimit

trishtohej litota kllapave të forta

si të shikohej ndryshe vrastarja dhe krimi

torzo e ngopur dhe flijimi

thurej modeli i flakjes tmerrit tek zgjerim gjoksesh

rivendosje kokash bashkim gjymtyrësh

pastaj trupit somnambul t`i ndizeshin

të gjithë kandilat  e rruzullimit

shiu lante vetveten bukurisë së strukur

i huazoi hark-kuqen vetull dhe i fali një ylberi

mbi të gjitha rropatjet veçse simboli ngadhënjeu

  

i përhershmi gravitet

të josh dhe të plandosë sapo të ngrihesh përpjetë

 

*Adem Demaçi

Gjilan, gusht 2021

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat